
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka përshëndetur vendimin e Sirisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si “një hap të drejtë dhe historik”.
Në një reagim në rrjetin “X”, Tabaku shkruan:
“Ne mirëpresim dhe përgëzojmë njohjen nga Siria të pavarësisë së Kosovës – një akt drejtësie i vonuar për një komb të lirë dhe sovran.”
Ajo ka vlerësuar udhëheqjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar “të jashtëzakonshme” në këtë proces.
“Udhëheqja e Vjosa Osmanit në këtë proces është me të vërtetë e jashtëzakonshme!” – shkruan Tabaku.
Deputetja shqiptare ka theksuar gjithashtu rolin vendimtar të princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, në arritjen e këtij momenti të rëndësishëm.
“Ky përparim nuk do të ishte i mundur pa udhëheqjen strategjike dhe ndërmjetësimin e princit të kurorës Mohammed bin Salman Al Saud. Roli i tij në nxitjen e dialogut rajonal dhe stabilitetit është thellësisht i vlerësuar. Një shenjë e miqësisë së tij ndaj Shqipërisë dhe Kosovës!” – ka shkruar Tabaku, duke nënvizuar se:
“Liria dhe njohja ecin dorë për dore. Kosova i meriton të dyja.”