Vendosni fjalën kyçe....

Siria njeh pavarësinë e Kosovës, Spiropali: Një zhvillim i rëndësishëm diplomatik



Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka përshëndetur vendimin e Republikës Arabe të Sirisë për të njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në forcimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit kosovar.

“Urime Kosovës për lajmin e mirë të njohjes së shtetit nga ana e Republikës Arabe të Sirisë.
Kosova po përparon në rrugën e forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj, si edhe mbështetjes së miqve e partnerëve që kanë ndihmuar procesin e njohjes dhe shtetndërtimit,” shkroi Spiropali në një postim në platformën X.

Ministrja shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për rolin dhe mbështetjen e tij në arritjen e kësaj njohjeje, duke theksuar se kjo është një dëshmi e rëndësishme e bashkëpunimit dhe solidaritetit ndërmjet vendeve të botës islame dhe Kosovës.

Në përfundim të reagimit të saj, Spiropali u shpreh e bindur se ky zhvillim do të pasohet nga njohje të tjera të reja për Kosovën:
“Jam e bindur se njohje pas njohjeje, Republika e Kosovës do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve. Edhe njëherë, urime Kosovë!”