
Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm rekord kanë marrë jetën e të paktën nëntë personave dhe kanë lënë pesë të tjerë të zhdukur në Vietnamin qendror, njoftoi qeveria të mërkurën.
Sipas autoriteteve, gjashtë nga viktimat janë regjistruar në qytetin bregdetar Danang, një nga destinacionet më të njohura turistike të vendit, dhe në qytetin e lashtë Hoi An. Përmbytjet kanë pushtuar më shumë se 103 mijë shtëpi, kryesisht në zonat turistike kryesore si Hue dhe Hoi An, bëri të ditur agjencia shtetërore e menaxhimit të fatkeqësive.
Vietnami është i njohur për stuhitë dhe përmbytjet e shpeshta e shpesh vdekjeprurëse, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha materiale, veçanërisht gjatë sezonit të stuhive që zgjat nga qershori deri në tetor.
Agjencia raportoi se reshjet e shiut vazhdojnë të godasin ish-kryeqytetin perandorak Hue pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe qytetin historik Hoi An, ku sasia e reshjeve në një periudhë 24-orëshe arriti nivelin rekord prej mbi 1,000 milimetrash.
Pamjet e publikuara në mediat shtetërore tregojnë se pjesa më e madhe e Hoi An mbetet nën ujë, me disa shtëpi të zhytura deri në çati. Në Hue, 32 nga 40 komunat janë përmbytur me ujë që arrin thellësi 1 deri në 2 metra, shkruan Reuters.
Në Danang, nivelet e ujit në rezervuarë dhe lumenj kanë arritur kufijtë maksimalë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë rrezik të lartë për përmbytje të reja dhe rrëshqitje dheu në zonat malore përreth.
Rrëshqitje dheu janë raportuar në disa zona, duke ndërprerë qarkullimin rrugor dhe rrjetin elektrik. Kompania shtetërore e hekurudhave njoftoi se ende nuk ka mundur të rikthejë linjat e transportit mes kryeqytetit Hanoi dhe qendrës tregtare Ho Chi Minh City, pas pezullimit të udhëtimeve të martën.
Sipas parashikimeve zyrtare të motit, reshjet e dendura pritet të vazhdojnë edhe për dy ditët e ardhshme në Vietnamin qendror, me disa zona që mund të marrin mbi 400 milimetra shi nga e mërkura deri në fund të së enjtes.