Ish-hajduti thotë se paralajmëroi Luvrin për dobësitë e sigurisë rreth stolive të kurorës
Disa ditë pasi hajdutëve iu deshën vetëm pak minuta për të vjedhur tetë copë të stolive të kurorës franceze nga Luvri, një ish-grabitës banke thotë se paralajmëroi një zyrtar të muzeut për dobësitë e theksuara – duke përfshirë vitrinat e stolive pranë dritareve nga rruga që ishin “si pula në tra” për t’u sulmuar.
David Desclos flet siç ishte dikur: një profesionist që dinte si t’i bënte alarmet të heshtnin. Në një intervistë për The Associated Press të martën, menjëherë jashtë piramidës së xhamtë të I.M. Pei, ish-hajduti tha se ai sinjalizoi dritaret e galerisë dhe vitrinat e afërta të ekspozitës vite më parë, pasi Luvri e ftoi atë në Galerinë Apollo për të dhënë mendimin e tij për podkastin e tij të brendshëm të vitit 2020 rreth një vjedhjeje historike të vitit 1792, shkruan AP.
“A i keni parë ato dritare? Janë si pula në tra. Mund të përfytyroni çdo gjë, njerëz të maskuar, që futen nëpër dritare,” tha ai, duke rrëfyer se i kishte treguar rreeth rrezikut një zyrtari të lartë të përfshirë në prodhimin e podkastit të Luvrit.
“Nëpër dritare, madje edhe nga çatitë, ka shumë mënyra për të hyrë.”
Më pas erdhi grabitja e së dielës. Autoritetet thonë se dy hajdutë thyen një dritare të Galerisë Apollo dhe përdorën vegla elektrike për të thyer vitrinat. Tetë bizhuteri të stolive të kurorës, të vlerësuara në disa raporte me më shumë se 100 milionë dollarë, u zhdukën në pak minuta. Një pjesë e nëntë, kurora e stolisur me diamante e Perandoreshës Eugénie, u gjet në tokë jashtë muzeut, e dëmtuar. Dy të dyshuar janë arrestuar, të tjerë mbeten në arrati.
“Ekzaktësisht ajo që kisha parashikuar,” tha Desclos.
“Ata u futën nga dritaret…erdhën, morën dhe u larguan.”
Desclos e përshkroi sulmin ndaj vitrinave si diçka të lehtë dhe ishte pjesë e asaj që ai kishte parashikuar. Fakti që hajdutët përdorën vegla elektrike për të hapur vitrinat dhe se një kurorë e dëmtuar u gjet në tokë pranë vendit të sulmit, sugjeron se vetë mbrojtja e vitrinave dhe vendndodhja e tyre pranë një dritareje ishin vërtet pika e dobët e shfrytëzuar nga hajdutët.
Desclos thotë se i ngriti këto shqetësime me zyrtarin e Luvrit pas regjistrimit të podkastit dhe shmangu detajimin e dobësive në transmetim.
Luvri nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së AP-së për koment. AP ka dëgjuar podkastin dhe ka verifikuar praninë e Desclos në të, por nuk mund të verifikojë menjëherë rrëfimin e tij për paralajmërimin e një zyrtari të muzeut.
Rishikimi i sigurisë në muzetë e Parisit
Shqyrtimi i grabitjes po zgjerohet. Shefi i Policisë së Parisit, Patrice Faure, është planifikuar të flasë në Senatin Francez të mërkurën në një seancë mbi sigurinë e muzeut dhe kërcënimet më të gjera të theksuara nga vjedhja.
Problemet e Luvrit kanë qenë të dukshme për muaj të tërë. Në qershor, një grevë spontane e stafit, duke përfshirë personelin e sigurisë, e detyroi muzeun të mbyllej pasi punëtorët protestuan ndaj turmës së papërballueshme, mungesës kronike të stafit dhe asaj që një përfaqësues sindikal e quajti kushte “të papranueshme”, duke lënë mijëra vizitorë me bileta nën piramidën e Pei-t.
Receta e tij është e prerë: mbyllni origjinalet; shfaqni kopjet.
“Ato të vërtetat duhet të jenë në Banque de France,” tha ai. Media franceze raportoi se pas grabitjes, pjesët e mbetura të stolive të kurorës u zhvendosën në kasafortat e thella të bankës qendrore, duke qëndruar pranë rezervave të sigurta kombëtare të arit dhe ditarëve të Leonardo da Vinci-t.
“Duhej të më kishin dëgjuar,” tha Desclos.
