Vendosni fjalën kyçe....

Holanda drejt zgjedhjeve parlamentare, në sondazhe kryeson partia e Geert Wilders



Në Holandë po zhvillohen zgjedhjet parlamentare, ku sondazhet tregojnë se Partia e Lirisë (PVV) e liderit të djathtë Geert Wilders mund të dalë sërish forcë e parë, megjithatë me pak gjasa për t’u bërë pjesë e qeverisë së ardhshme, përcjell Guardian.

PVV, e cila shkaktoi befasi në zgjedhjet e kaluara duke dalë në vend të parë dhe formuar një koalicion konservator me katër parti që zgjati vetëm një vit përpara se të shpërbëhej, parashikohet të marrë 24 deri në 28 vende në parlamentin me 150 ulëse.

Megjithëse partia e Wilders mbetet forca më e madhe sipas sondazheve, popullariteti i saj ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitin 2023, kur fitoi 37 mandate. Të gjitha partitë e mëdha holandeze kanë përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me Wilders, i cili rrëzoi koalicionin e kaluar në qershor pas mosmarrëveshjeve mbi planet e tij radikale kundër refugjatëve.

Në vend të dytë renditet aleanca E Majta e Gjelbër/Laburistët (GL/PvdA) e udhëhequr nga ish-komisioneri evropian Frans Timmermans, e cila pritet të fitojë 22–26 vende në parlament.

Partia liberale-progresiste D66 parashikohet të pesëfishojë numrin e saj të deputetëve, duke arritur në 21–25 vende, ndërsa Demokristianët (CDA) pritet të dyfishojnë përfaqësimin e tyre në 18–22 mandate.

Ndërkohë, partitë e kabinetit në largim – PVV, liberal-konservatorët e VVD, Lëvizja Popullore e Fermerëve (BBB)dhe Kontrata e Re Sociale (NSC) – pritet të pësojnë humbje të ndjeshme.

Sistemi proporcional i Holandës i jep një deputet çdo 0.67% të votave, dhe këtë vit 27 parti janë në garë – nga ato për të moshuarit dhe të rinjtë, deri te ato për kafshët apo të ardhurat bazë universale.

Analistët parashikojnë se deri në 16 parti mund të arrijnë të hyjnë në parlament, duke e bërë formimin e një koalicioni të qëndrueshëm jashtëzakonisht të vështirë.

Në më shumë se një shekull, asnjë parti nuk ka fituar shumicën e plotë, dhe vendi është qeverisur gjithmonë nga koalicione shumëpartiake, zakonisht me katër parti në përbërje.

Geert Wilders ka paralajmëruar se nëse PVV del forcë e parë por përjashtohet nga qeveria, “demokracia do të jetë e vdekur”.
Megjithatë, kundërshtarët e tij dhe ekspertët theksojnë se fitimi i vendit të parë nuk garanton qeverisjen, dhe çdo koalicion që siguron shumicën mbetet demokratik.

Qendrat e votimit – përfshirë ato në fshatin miniaturë Madurodam në Hagë dhe shtëpinë e Anne Frank në Amsterdam – u hapën në orën 07:30 dhe do të mbyllen në 21:00. Një exit poll i parë pritet menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit.

Pas votimit, një informateur do të testojë kombinimet e mundshme të partive që mund të formojnë shumicën, përpara se të nisin negociatat për marrëveshjen e re qeveritare katërvjeçare, e cila më pas duhet të miratohet me votë besimi në parlament.

Analistët parashikojnë se pas një periudhe të tensionuar politike, qeveria e re holandeze ka gjasa të jetë një koalicion i gjerë qendror, i udhëhequr ose nga e majta e moderuar, ose nga e djathta e moderuar.