
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve dhe dezinformimit të fundit ndaj Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) dhe vëzhguesve të tij ndërkombëtarë, duke i cilësuar ato si “të papranueshme” dhe si përpjekje për të minuar besimin te reforma në drejtësi.
Gjatë një vizite në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), Gonzato zhvilloi një takim me kryetarin Sokol Çomo, ku theksoi rëndësinë e përfundimit të procesit të vettingut brenda afatit kushtetues.
“Bashkimi Evropian qëndron fort në mbështetje të procesit të Vettingut dhe të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Sulmet e fundit të pajustifikuara ndaj ONM-së dhe vëzhguesve të saj ndërkombëtarë janë të papranueshme dhe synojnë të minojnë besimin te sistemi i drejtësisë dhe reforma në drejtësi”, u shpreh Gonzato.
Diplomati evropian nënvizoi se BE pret që të gjitha aktivitetet e vettingut të finalizohen përpara qershorit 2026, kur përfundon mandati kushtetues i institucioneve të rivlerësimit.
“Procesi i vettingut mbetet shtylla kurrizore e reformës në drejtësi dhe përfundimi i tij është një hap themelor në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, deklaroi ambasadori Gonzato, duke shtuar se përparimi në këtë drejtim është thelbësor për ecurinë e negociatave të vendit me Brukselin.