
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, zhvilloi sot një takim me banorët e Njësisë Administrative nr. 14 në zonën e Astirit, ku u denoncuan probleme serioze të infrastrukturës dhe rreziqe të drejtpërdrejta për jetën e qytetarëve.
Sipas banorëve, një kabinë elektrike është vendosur në hyrje të një pallati, duke bllokuar aksesin dhe duke krijuar një rrezik të vazhdueshëm për fëmijët dhe banorët e godinës. Pamjet e publikuara nga takimi tregojnë shqetësimin e komunitetit për këtë situatë, e cila sipas tyre është lënë pas dore nga autoritetet.
Deputeti Balliu e cilësoi situatën si “të turpshme dhe të papranueshme”.
“Është absurde që në mes të Tiranës, qytetarët të jetojnë me një infrastrukturë të tillë skandaloze, që i ngjan Mesjetës.”- u shpreh Balliu.
Ai akuzoi pushtetin vendor dhe qeverinë për papërgjegjshmëri dhe arrogancë.
“Është një çmenduri që vetë qeveria dhe pushteti vendor vendosin kabina elektrike në hyrje të pallateve, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Kjo tregon se banorët e kësaj zone, ndonëse paguajnë taksa, trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.”
Balliu premtoi se do ta ndjekë çështjen deri në zgjidhjen përfundimtare dhe do të kërkojë mbajtjen përgjegjëse të institucioneve që kanë lejuar këtë shkelje të rëndë të sigurisë publike.
Ai u bëri thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë menjëherë për të eliminuar rrezikun dhe për të përmirësuar kushtet infrastrukturore në zonë.