
Në konferencën e Stabilizim-Asociimit, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, njoftoi se qeveria do të propozojë së shpejti në Kuvend një ligj të posaçëm kundër dhunës ndaj grave dhe të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e lirisë së mediave, duke vlerësuar raportet e fundit të Autoritetit të Mediave Audiovizive që tregojnë një kohë të barabartë televizive për politikanët kryesorë, përfshirë kryetarin e Partisë Demokratike, dhe nënvizoi se media funksionon si ndërmjetës mes politikanëve dhe publikut.
Balla falënderoi Parlamentin Europian për mbështetjen ndaj Shqipërisë, duke kujtuar mbi 570 vota pro në raportin e fundit për vendin, dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit për çështjet kryesore ligjore dhe reformave.
Fjala e plotë:
Në vijim të asaj që tha kolegia Kokalari, natyrshëm që çështjet e dhunës me bazë gjinore janë çështje të cilat na bashkojnë të gjithëve dhe së shpejti do të vijë nga qeveria dhe do të miratohet në Kuvend një ligj i posaçëm kundër dhunës ndaj grave, të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore.
Sa i përket një vlerësimi të shkurtër të çështjes së mediave, po padyshim që liria e mediave është thelbësore në vlerësimin e demokracive funksionale. Por unë mendoj që ajo që ka rëndësi në garat e barabarta, sepse media është interpretuesi, ose le të themi një ndërmjetës mes politikanit dhe publikut dhe pashë në raportimin e fundit të Autoritetit të Mediave Audiovizive në Shqipëri një tabelë që është për mua shumë domethënëse dhe që doja ta ndaja me kolegët edhe të opozitës, të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe të Parlamentit Europian.
Kam këtu një përmbledhje të kohës televizive të politikanëve kryesorë në Shqipëri në katër televizionet kombëtare. Dhe e shoh si shumë pozitive, në kuptimin e pavarësisë së medias, që politikani që ka më shumë kohë televizive në katër televizione kombëtare është kryetari aktual i Partisë Demokratike, madje më shumë kohë sesa kryetari i Partisë Socialiste në shumicë.
Dhe kjo është diçka që mendoj që vlen. Po, vlen shumë. Dhe kjo është në Televizionin Kombëtar, Radio Televizioni Shqiptar, ndërkohë që në katër televizionet publike pra kryesore, koha e kryetarit të Partisë Demokratike është dy herë më shumë sesa koha e Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste.
Kjo është në katër televizione, pra dy herë më shumë kryetari i Partisë Demokratike sesa kryetari i Partisë Socialiste në katër televizionet kombëtare. Kjo është gjë e mirë.
Në fund të fundit janë mediat vetë që vendosin se kush duhet të dalë dhe kush jo, dhe nuk bëjmë ne linjën editoriale të mediave. Kështu që në vlerësimin tim vlen ajo që e kam thënë gjatë gjithë këtyre dy ditëve të punimeve: duhet të punojmë të gjithë bashkë në funksion të të gjitha çështjeve që kemi diskutuar.
Ka disa raste kur opozita e ka natyrshëm votën kundër, siç është buxheti i qeverisë, përbërja e qeverisë, por kemi edhe plot projektligje të tjera ku mund të gjejmë gjuhën e përbashkët, përfshirë këtu edhe çështjet që u përmendën së fundi nga eurodpeutetët.
Duke iu falënderuar të gjithëve.
Faleminderit, faleminderit për prezencën kaq të madhe kësaj radhe
të Parlamentit Europian në Tiranë. Kjo dëshmon shumë për vëmendjen e Parlamentit Europian dhe ju lutem, përmes jush, transmetojini të gjithë drejtuesve, kryetarëve të grupeve politike më të mëdha në Parlamentin Europian, EPP, SND-së, edhe
gjelbërve, edhe të grupeve të tjera — mirënjohjen dhe falënderimet tona për mbështetjen, sepse mbi 570 vota pro Shqipërisë në raportin e fundit ishte shumë domethënëse për ne. Faleminderit.