Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite ndryshon strategjinë e fondit sovran prej 925 miliardë dollarësh, pas vonesave të megaprojekteve të mëdha


Arabia Saudite po përgatitet të ridrejtojë fokusin e fondit të saj sovran prej 925 miliardë dollarësh, duke u larguar nga projektet gjigante të pasurive të paluajtshme që kanë dominuar strategjinë e zhvillimit të dekadës së fundit.

 Lajmin e ka bërë të ditur për Reuters një burim me njohuri të drejtpërdrejtë për planet, sipas të cilit Fondi i Investimeve Publike (PIF) do të zhvendosë prioritetet e tij drejt logjistikës, mineraleve, inteligjencës artificiale dhe turizmit fetar.

Princi i Kurorës Mohammed bin Salman (MbS), sundimtari de facto i vendit, nisi në vitin 2016 vizionin e tij ekonomik “Vision 2030”, me qëllim që të transformonte ekonominë saudite përtej varësisë nga nafta.

Në qendër të këtij plani kanë qenë projektet ambicioze të ndërtimit, si NEOM – qyteti futuristik në shkretëtirë pranë Detit të Kuq, dhe projekti Trojena, që parashikonte mbajtjen e Lojërave Aziatike Dimërore në malin verior të mbretërisë.

Megjithatë, shumë nga këto “megaprojekte” kanë pësuar vonesa të konsiderueshme, ndërsa disa janë reduktuar ndjeshëm në shkallë.

Një burim i cituar nga Reuters tha se ndryshimi i strategjisë vjen si rezultat i “vendosmërisë për të siguruar fitime më të qëndrueshme në afat të shkurtër për fondin PIF”.

Fokus i ri: logjistika, mineralet dhe inteligjenca artificiale

Sipas planit të ri, PIF synon ta kthejë Arabinë Saudite në një qendër globale logjistike, duke shfrytëzuar pozicionin e saj strategjik pranë Detit të Kuq, një korridor tregtar që ka pësuar shpesh ndërprerje.

Gjithashtu, mbretëria po planifikon të shfrytëzojë rezervat e paidentifikuara të mineraleve të rralla, një sektor që konsiderohet kyç për ekonominë e ardhshme.

Një tjetër shtyllë e strategjisë do të jetë zhvillimi i inteligjencës artificiale (AI) dhe qendrave të të dhënave, të mbështetura nga burimet e bollshme të energjisë së vendit.

Kompania Humain, e zotëruar nga PIF dhe e caktuar të udhëheqë këtë drejtim, ka njoftuar se do të ndërtojë rreth 6 gigavat kapacitet qendrash të dhënash. Drejtori ekzekutiv Tareq Amin tha për gazetarët: “Le ta themi kështu – çdo gjë që kërkojmë, e marrim.”

Një pjesë e rëndësishme e strategjisë së re do të përfshijë gjithashtu turizmin fetar në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës.

Vetë Princi i Kurorës njoftoi këtë muaj një projekt të ri për Zgjerimin e Xhamisë së Madhe të Mekës, i cili do të shtojë rreth 900 mijë hapësira të reja për falje.

 

Fundi i epokës së “gigaprojekteve”?

Në vitet e fundit, analistët kanë kritikuar mungesën e rezultateve financiare nga projektet gjigante, ndërsa disa prej tyre, si projekti Red Sea Global, një kompleks hotelesh superluksoze – kanë raportuar vetëm 40% zënie kapacitetesh, sipas mediave vendase.

Burimi i Reuters theksoi se presioni mbi PIF për të gjeneruar kthime më të larta është rritur ndjeshëm, pasi fondi regjistroi një mesatare fitimi prej 7.2% nga viti 2017 deri në 2024, në rënie nga 8.7% një vit më parë.

Për këtë arsye, bordi i fondit ka miratuar ditët e fundit një “strategji të re bazë”, që do të prezantohet zyrtarisht brenda javëve të ardhshme.

Një burim bankar i tha Reuters se strategjia pesëvjeçare aktuale e PIF-it përfundon këtë vit dhe se “strategjia e re do të detajojë qartë prioritetet për periudhën e ardhshme”.

Ndërkohë, fondi ka sinjalizuar edhe shkurtimin e investimeve ndërkombëtare, duke synuar t’i ulë ato në 18–20% të portofolit total, nga rreth 30% që kanë qenë më parë.

Pavarësisht ndryshimeve, Mbretëria Saudite nuk pritet të heqë dorë nga investimet në naftë dhe petrokimikatet, ndërsa energjia e rinovueshme do të ketë rol plotësues në strategjinë kombëtare.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters