Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, ka paditur prodhuesit e Tylenol, duke pretenduar se kompanitë fshehën rreziqet e supozuara që ilaçi paraqiste për zhvillimin e trurit të fëmijëve.
Padia vjen një muaj pasi presidenti Donald Trump tha se marrja nga gratë shtatzëna e Tylenol, i njohur gjithashtu si paracetamol, mund të nxisë autizmin tek fëmijët.
Paxton po padit Johnson & Johnson, e cila më parë shiste ilaçin, të vetmin qetësues dhimbjesh të rekomanduar për gratë shtatzëna, dhe Kenvue, e cila tani e prodhon atë. Në një deklaratë, ai tha se ata “tradhtuan Amerikën duke përfituar nga dhimbja dhe duke nxitur shitjen e pilulave pavarësisht rreziqeve”.
Kenvue thotë se nuk ka prova të besueshme që lidhin Tylenol me autizmin.
“Këto korporata gënjyen për dekada, duke rrezikuar me vetëdije miliona njerëz për të mbushur xhepat e tyre,” tha Paxton, një Republikan.
Kenvue tha në një deklaratë se ishte “thellësisht e shqetësuar nga deklarata “keqinformuese” për sigurinë e acetaminophen-it (paracetamolit) dhe ndikimi potencial që kjo mund të ketë në shëndetin e grave dhe fëmijëve amerikanë”.
Në faqaen e saj në internet, Kenvue gjithashtu tha se kishte “vlerësuar gjithnjë shkencën përkatëse dhe nuk ka të dhëna të besueshme që tregojnë një lidhje të provuar midis marrjes së Tylenolit dhe autizmit”.
Padia citon njoftime të fundit nga administrata e Trump, duke argumentuar se ilaçi është i pasigurt.
Muajin e kaluar, Trump ngriti alarme nga zyrtarët e shëndetit publik kur u tha grave shtatzëna të “luftojnë me mish e shpirt” për të mos marrë Tylenol kur janë të sëmura.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (US Food and Drug Administration – FDA) më pas lëshoi një njoftim që mjekët duhet të konsiderojnë kufizimin e përdorimit të Tylenol, ndërsa theksoi gjithashtu se “një lidhje shkakore” midis ilaçit dhe autizmit tek fëmijët nuk është vërtetuar.
Sekretari i Shëndetësisë Robert F Kennedy Jr, i cili mbikëqyr FDA, ishte zotuar në prill të ndërmerrte “një përpjekje masive testimi dhe kërkimi” që do përcaktonte shkakun e autizmit brenda pak muajsh.
Në dosjen e tij të gjykatës, Paxton, një aleat i Trump që po kandidon për Senatin Amerikan, pretendon se Kenvue dhe Johnson & Johnson “me dashje injoruan dhe u përpoqën të heshtnin shkencën” rreth acetaminophen-it dhe autizmit.
Padia e Teksasit i bën jehonë ankesave të një grupi prindërish të fëmijëve me autizëm dhe ADHD që paditën prodhuesit e Tylenol në vitin 2022, shkruan BBC.
