
Një sulm masiv me dronë gjatë natës së 27 tetorit ka goditur disa rajone në perëndim të Rusisë, përfshirë edhe zonën metropolitane të Moskës, sipas Kyiv Independent.
Banorë të rajonit të Moskës raportuan shpërthime në disa lagje të kryeqytetit. Pamjet e publikuara nga dëshmitarë okularë dhe të verifikuara nga kanali rus në Telegram Astra tregojnë tym që ngrihet në zonën Kommunarka, pjesë e distriktit administrativ Novomoskovsky. Sipas raportimeve, tymi vinte nga një zonë pyjore pranë një rruge lokale.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi më vonë se 193 dronë janë rrëzuar gjatë natës, përfshirë 40 mbi rajonin e Moskës, nga të cilët 34 ishin drejtuar drejt kryeqytetit.
Në rajonin e Kurskut, një zjarr shpërtheu pranë një nënstacioni elektrik në qytetin Rylsk, pas asaj që autoritetet lokale e cilësuan si një “sulm me dronë ukrainas.”
“Sipas hetimeve fillestare, si pasojë e sulmit me UAV, u përfshinë në flakë disa ndërtesa ndihmëse pranë një banese afër nënstacionit. Zjarrfikësit arritën ta shuajnë menjëherë,” deklaroi guvernatori i rajonit, Alexander Khinshtein.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin, konfirmoi se dhjetëra dronë kishin si objektiv kryeqytetin dhe se forcat ruse kishin rrëzuar 34 mjete ajrore. Ai publikoi njoftime të vazhdueshme gjatë natës për situatën në qytet.
Për shkak të kërcënimit ajror, aeroportet Domodedovo dhe Zhukovsky pezulluan përkohësisht fluturimet. Shpërthime u raportuan në disa pjesë të Moskës dhe rajonit përreth, ndërsa autoritetet njoftuan se nuk ka pasur viktima dhe se ekipet e emergjencës janë dërguar në vendngjarje.
Më herët, një zjarr kishte shpërthyer edhe në një depo nafte në Serpukhov, në rajonin e Moskës, sipas kanalit Astra, i cili publikoi video të marra nga dëshmitarë. Shkaku i zjarrit nuk është bërë publik, por autoritetet lokale thanë se ai është shuar.
Autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar për raportimet.
Kievi përdor shpesh dronë me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva ushtarake dhe industriale në territorin rus, si rafineri nafte, fabrika armatimi dhe depo municionesh.
Në një sulm të ngjashëm më 22 shtator, Rusia kishte raportuar rrëzimin e 34 dronëve mbi Moskë.
Ndërkohë, Rusia vazhdon të kryejë sulme të përditshme me raketa dhe dronë ndaj qyteteve ukrainase. Vetëm gjatë dy netëve të fundit, sulmet mbi Kievin kanë lënë pesë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi më 26 tetor se Rusia ka goditur Ukrainën me gati 1.200 dronë dhe 50 raketa – kryesisht balistike – gjatë javës së fundit.