
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Altin Dumani, ka zhvilluar një raportim të gjerë në Kuvend, ku ka paraqitur bilancin e punës së institucionit për vitin 2024, duke theksuar arritjet, sfidat dhe presionet e vazhdueshme ndaj drejtësisë së re.
Në fjalën e tij, Dumani tha se “SPAK nuk ka të paprekshëm” dhe se “për prokurorët e posaçëm nuk kanë rëndësi emrat, por vetëm provat”, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se kryeministri Edi Rama është “i paprekshëm” për drejtësinë.
Dumani vuri në dukje se sipas Indeksit Global të Korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria është vlerësuar me 42 pikë, duke përmirësuar rezultatin me 5 pikë krahasuar me vitin 2023.
“Transparency International ka njohur rolin e SPAK në rritjen e besimit të publikut. SPAK i ka dhënë rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar, sidomos në rastet e veprimeve me kriptovaluta,” tha ai, duke theksuar se sektori i hetuesve financiarë është forcuar dhe se është përgatitur një udhëzim i posaçëm për hetimet pasurore dhe administrative.
Sipas raportimit të Dumanit, gjatë vitit 2024, SPAK ka konfiskuar pasuri me vlerë rreth 36,7 milionë euro, ndërsa vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara ka arritur në 65,5 milionë euro, me një rritje prej 59,7% krahasuar me vitin 2023.
“Vlera e pasurive të sekuestruara zë rreth 43,8% të totalit, ndërsa ajo e pasurive të konfiskuara përbën 56,2%. Kjo tregon një përparim të ndjeshëm në goditjen e aseteve të fituara në mënyrë të paligjshme,” u shpreh ai.
Në raportin para deputetëve, kreu i SPAK nënvizoi se 33 ish-zyrtarë të lartë janë aktualisht nën hetim, ndërsa 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë.
“Për SPAK, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka shënuar rritje të ndjeshme në numrin e procedimeve dhe dënimeve. Vetëm gjatë këtij viti, është rritur me 18,8% numri i procedimeve penale për krim të organizuar dhe me 21,6% numri i personave nën hetim,” tha Dumani.
Ai shtoi se numri i dënimeve të formës së prerë për ish-zyrtarët e lartë është rritur nga 9 në vitin 2023 në 10 gjatë vitit 2024.
Në një pjesë të rëndësishme të raportit, Dumani foli hapur për presionin e jashtëm që, sipas tij, ushtron politika, krimi i organizuar dhe media mbi punën e SPAK.
“Presioni nga aktorët politikë, krimi i organizuar dhe media cenon pavarësinë kushtetuese të SPAK dhe efektivitetin e hetimeve. Këto ndërhyrje rrezikojnë integritetin e prokurorëve dhe procesin hetimor,” deklaroi ai, duke kërkuar “një reagim më të koordinuar nga institucionet për mbrojtjen e integritetit të SPAK.”
Dumani nënvizoi gjithashtu se nuk është adresuar ende çështja e statusit të prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit, si dhe mos-ekstradimi i të kërkuarve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që sipas tij vijon të mbetet një pengesë serioze për drejtësinë.
Në përgjigje të pyetjeve të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku, Dumani tha se SPAK ka hetuar 71 persona në lidhje me çështjet e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.
“Lidhur me inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit, çështjet kanë kaluar të gjitha fazat e gjykimit dhe janë konfirmuar nga gjykata. Për inceneratorin e Tiranës hetimet vazhdojnë,” tha ai.
I pyetur për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, Dumani theksoi: “Ahmetaj është person në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale. Në çdo moment që një subjekt dëshiron të bashkëpunojë me drejtësinë, është mëse i mirëpritur.”
Deputeti demokrat Luçiano Boçi e pyeti Dumanin se “pse nuk hetohet Edi Rama”, duke aluduar për mbrojtje politike. Dumani iu përgjigj prerë:
“Për SPAK nuk ka të paprekshëm! Hetimet bazohen vetëm në prova. Çdo procedim penal fillon me faktin penal dhe më pas shtrihet në drejtim të autorëve të veprës penale. Për ne nuk kanë rëndësi emrat, por faktet.”
Në fund të raportimit, Dumani iu përgjigj pyetjes së deputetes Tabaku për të ardhmen e tij pas përfundimit të mandatit si drejtues i SPAK.
“Nuk jam njeri që dorëzohem. Do të jem prokuror, pavarësisht mandatit. I kam kërkuar disa herë Kuvendit të shqyrtojë mandatin e kreut të SPAK, por kjo është interpretuar gabimisht sikur e kërkoj për interes personal. Nëse politika e kushtëzon, unë nuk kandidoj,” tha ai, duke theksuar se synimi i tij mbetet forcimi i pavarësisë së institucionit.