Vendosni fjalën kyçe....

Dumani: Balluku nën hetim për disa kallëzime penale, çështjet janë brenda afateve


Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani, ka konfirmuar në Kuvend se zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është objekt hetimi për disa kallëzime penale të depozituara nga Partia Demokratike.

Ai iu përgjigj pyetjeve të deputetëve Belind Këlliçi dhe Klevis Balliu, duke sqaruar se çështjet ndodhen në fazën e hetimit paraprak.

“Unë nuk mund të jap, ju përmendët aeroportin e Vlorës, nuk mund të jap shpjegime për çështje që janë në fazën e hetimit paraprak” – tha Dumani, duke iu përgjigjur pyetjes së Këlliçit për përfshirjen e Ballukut në projektin e aeroportit të Vlorës.

Deputeti Klevis Balliu kërkoi sqarime për një sërë kallëzimesh që lidhen me projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë shitblerjen e energjisë, ndërtimin e parqeve fotovoltaike, tunelin e Llogarasë, termocentralet dhe tenderët për anijet “tigri 1” dhe “tigri 3”.

“Në këtë vështrim, për zonjën Balluku ka disa kallëzime penale në SPAK që nga shitblerja e energjisë tek rrugët, tek ndërtimi i parqeve fotovoltaike, tek tuneli i Llogarasë, tek termocentralet, anijet ‘tigri 1’ dhe ‘tigri 3’. A janë në hetim këto çështje, sa kohë duhet për t’i hetuar kur bëhet fjalë për miliona euro të shpërdoruar?” – pyeti Balliu.

Ai shtoi: “P.sh. ju keni bërë një procedurë për ndërtimin e një parku fotovoltaik në godinën tuaj dhe i keni prokuruar me gjysmën e çmimit që i ka prokuruar zonja Balluku. Kaq të vështirë e ka SPAK sa i duhen disa vite për t’i hetuar?”

Në lidhje me tenderët e anijeve, Balliu tha: “Çfarë vështirësie ka tek çështja e ‘tigrit 1’ dhe ‘tigrit 3’, kur vetë kompania raporton në SHBA se ka fituar një tender në Shqipëri, ndërkohë që tenderi nuk është realizuar ende dhe procedura bëhet disa muaj pasi është deklaruar në Amerikë?”

Dumani u përgjigj se nuk ka shkelje të afateve procedurale: “Sa kohë që janë çështje në hetim paraprak, s’mund të jap informacion lidhur me pyetjen e Balliut. Koha është e rëndësishme, por ajo që prokurorët e posaçëm respektojnë është afati i hetimit. Sa kohë çështjet janë brenda afateve, duhet të marrësh në konsideratë rëndësinë e çështjeve dhe ngarkesën e prokurorëve. Nuk mund të them se janë zvarritur këto çështje” – tha ai.