Kreu i PD-së Berisha sulmoi kreun e SPAK-ut Altin Dumani gjatë raportimit të këtij të fundit në Kuvend, duke e quajtur “avokati i vjedhjeve më të mëdha në vend”.
Kryedemokrati tha se Dumani është avokat privat i familjes së kryeministrit Rama. Ndër çështjet që përmendi Berisha ishin ato të inceneratorëve, aeroporti i Vlorës e Tuneli i Llogarasë.
“Ai që e pëson nga ky qëndrim i tyre dhe i tij është qytetari shqiptar, që paguan sa qimet e kokës 400 milionë euro për inceneratorët dhe s’kanë as nam e as nishan. Ai thotë se kam hetim paraprak, nuk mund të bëhet më i shpifur. Çfarë hetimi paraprak, janë 400 milionë që nuk ekzistojnë, janë 140 milionë për djegësin Tiranës që nuk ka gjurmë dhe ai thotë po vazhdojmë hetim paraprak, mashtrues ordiner që del këtu dhe përpiqet të mbrojë nga flakët djegësve Ramën, kryearkitektin e tyre. A e dini ju qytetarë se kush është dënuar për djegësin, është dënuar Ahmetaj që e ka kundërshtuar 5 herë me shkrim, u dënua se u gjetën pllakat e banjos. Dmth 140 milionë euro kushtonin pllakat e banjos së ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt. Dumani është bërë avokat i vjedhjeve më të mëdha të historisë së këtij vendi, ju flisni për hetime, a e dini ju që është 50 milionë euro tuneli i Llogarasë, është 140 milionë euro gjoba e qytetarëve shqiptarë për aeroportin e Vlorës që duan ta marrin tani lubija me Ramën, a bëjnë këto sëbashku 210 milionë. A e dini ju që s’mund të hetohet Rama me 21 milionë euro shpenzime udhëtimi në dy vite, se mbron Altin Troplinin. Nuk kemi asgjë personale, do dal te çështja personale dhe e kam shumë të fortë, por këtë e kam për qytetarët. Vetëm në një vit janë vjedhur 300 mln euro me digat, shiti tek sekserët digat dhe ble energji 300 mln euro në vjeshtë dhe këto avokat Dumani nuk i heton. Është avokat privat i familjes Rama”, tha Berisha.
