
Seanca plenare e 27 tetorit në Kuvend u shoqërua me përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës, ku në qendër të akuzave u vendos zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, mbajti një fjalim të ashpër, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe për devijim të vëmendjes publike nga problemet reale të vendit.
“Sa herë thirret opozita, vjen e përballet, Balluku jo” – tha Balliu, duke kritikuar refuzimin e ministres për të marrë pjesë në debatet parlamentare.
Ai ironizoi masat e fundit të Ministrisë së Brendshme për rregullimin e monopatinave elektrike.
“Pse vetëm opozita i përmend grupet kriminale, ndërsa Ministria e Brendshme ndalon monopatinat? Pse monopatinat janë problem këtu?” – vijoi ai.
Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare, Balliu shtoi: “DASH vjen e thotë po mbyteni nga lekët e drogës. Kullat ngrihen me miliona euro” – tha ai, duke akuzuar qeverinë për tolerim të pastrimit të parave dhe për ndërtime të dyshimta në kryeqytet.
Në përfundim të fjalimit, Balliu lëshoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë për deputetët socialistë: “Nëse ka ndonjë nga ju, duhet ta thoni. Siç ia kanë bërë Beqirit, do ia bëjnë edhe Belindës. Kjo është një parti që nuk ndryshon, ha të vetët dhe justifikon krimin. Ashtu do ua bëjnë dhe juve” – përfundoi ai.