Vendosni fjalën kyçe....

“Në 2026 çdo shqiptar do të ketë identitet digjital” – Rama



Kryeministri Edi Rama ka folur për hapat e fundit të qeverisë në drejtim të transformimit digjital të dokumenteve të identitetit, në episodin më të ri të podcastit të tij “Flasim”.

Rama njoftoi se ka përfunduar koncesioni për prodhimin e kartave të identitetit dhe se tashmë kjo përgjegjësi është marrë nga një kompani shtetërore.

“Përfundoi koncesioni për kartat e identitetit. Ne krijuam një kompani shtetërore për krijimin e kartave më të mira e më të lira, që është angazhuar për kalimin e kartës së identitetit në telefona dhe kompjuter si një portofol digjital,” – tha ai.

Kryeministri theksoi se synimi është që deri në vitin 2026 çdo qytetar shqiptar të ketë identitet digjital, ndërsa Bashkimi Evropian ka vendosur vitin 2027 si afat për futjen e këtij sistemi në të gjitha vendet anëtare.

“Testet e fundit për ne janë në vijim që çdo shqiptar të mund të pajiset me identitet digjital në 2026,” – shtoi Rama.

Projekti synon që karta e identitetit të mund të përdoret në mënyrë të sigurt edhe përmes telefonit apo kompjuterit, duke krijuar një portofol elektronik shtetëror, pjesë e procesit të digjitalizimit të administratës dhe shërbimeve publike.