Vendosni fjalën kyçe....

Trump i hapur të takohet me Kim Jong Un


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Koreja e Veriut është një “lloj fuqie bërthamore” dhe se është i hapur për t’u takuar me kreun e saj, Kim Jong Un, ndërsa nisi një turne në Azi ku do takohet edhe me homologun kinez, Xi Jinping.

“Epo, mendoj se ata janë një lloj fuqie bërthamore. Unë e di se sa armë kanë. Unë di gjithçka për ta dhe kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Kim Jong Un,” tha Trump në bordin e Air Force One të premten.

“Nëse ai do të takohet, unë jam i hapur për këtë,” shtoi Trump.

Trump u nis për në Malajzi të premten për të marrë pjesë në samitin e 47-të të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Kuala Lumpur.

Pheniani ka thënë më parë se dialogu është i mundur nëse SHBA-ja pranon statusin e saj bërthamor, të cilin Kim argumenton se është “i pakthyeshëm”.

Trump do fluturojë në qytetin port Busan të Koresë së Jugut të mërkurën, ku do takohet me presidentin Lee Jae Myung para se të flasë në drekën e drejtorëve të APEC-ut dhe do marrë pjesë në një darkë pune të krerëve SHBA-APEC atë mbrëmje. Ai do zhvillojë një samit me Xi të nesërmen, shkruan AA.

Spekulimet janë të shumta se Trump mund të takohet me Kim në zonën e çmilitarizuar midis Koresë së Veriut dhe Jugut. Ata u takuan për herë të fundit në vitin 2019 gjatë mandatit të parë të Trump, pasi presidenti amerikan kërkoi të ndërmjetësonte një marrëveshje denuklearizimi me Phenianin që nuk u materializua kurrë.