
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, fokusi kryesor ka qenë te Komisioni për Reformën Zgjedhore dhe Komisioni për Reformën Territoriale.
Sipas BW, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se deputetët do të votojnë për të dy komisionet vetëm nëse ato i referohen ndryshimeve të kërkuara nga opozita.
“Administrata e Kuvendit sapo më ka dërguar tekstin e rishikuar për të dyja komisionet, ku shoh se janë reflektuar të gjitha amendamentet tona të dorëzuara javën e shkuar. Komisionet do jenë me barazi, bashkëkryetar dhe vendime konsensuale. Do kërkohet edhe ekspertiza e OSBE-ODIHR, Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias. Nëse mazhoranca i qëndron versionit të ripunuar nga administrata e Kuvendit, ne votojmë pro”, tha Bardhi.
Ai gjithashtu përmendi se të hënën do të raportojnë pesë institucione të drejtësisë: Prokurori i Përgjithshëm, SPAK, ILD, KLGJ dhe KLP. Bardhi theksoi se rezolutat e mazhorancës nuk do të votohen, pasi sipas tij janë të njëanshme.
Ai shtoi se deputetët do të kenë mundësi të bëjnë pyetje dhe se kohëzgjatja për diskutim do të jetë 2 orë e 30 minuta për çdo institucion. Bardhi nënvizoi se është e papranueshme që grupi të nënshtrohet ndaj sjelljes provokuese të mazhorancës, duke kërkuar mendimin e deputetëve për mënyrën e veprimit.