Vendosni fjalën kyçe....

Qori: Balluku e ka vendin në burg për aeroportin e Vlorës, tunelin e Llogarasë e koncesionet e rrugëve


Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori tha sot se zv.kryeministrja Belinda Balluku e ka vendin në burg për koncesionin e aeroportit të Vlorës, për tunelin e Llogarasë dhe të gjitha koncesionet e rrugëve që janë dhënë deri sot.

Qori, i cili është kandidat i Lëvizjes Bashkë për bashkinë Tiranë në zgjedhjet e pjesshme, tha se Balluku është një nga pushtetaret më të korruptuara të historisë bashkëkohore të Shqipërisë dhe jo më kot është emëruar nga kryeministri Rama si drejtuese të fushatës në Tiranë.

Qori i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë me imtësi të gjitha aktet korruptive që kanë dalë nga Ministria e Infrastrukturës.

“Belinda Balluku e ka vendin në burg për dallaveret me aeroportin e Vlorës, me tunelin e Llogarasë dhe me të gjitha koncesionet e rrugëve që janë dhënë deri sot. Jam gëzuar shumë kur kam lexuar para pak minutash lajmin në mediat shqiptare se ditën e hënë Belinda Balluku do shkojë në SPAK dhe do merret si person nën hetim për favorizim në tendera dhe akte të tjera korruptive. Bëhet fjalë për një nga pushtetaret më të korruptuara të historisë bashkëkohore të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Edi Rama, këtë hajdute me famë e ka emëruar drejtuese të fushatës në Tiranë. Tirana nuk ka sot kryetar bashkie sepse një hajdut tjetër si Erion Veliaj është në burg. Dhe për ironi të fatit, Edi Rama ka vendosur për drejtuese fushate një hajdute tjetër, po aq të madhe sa Erion Veliaj.

I bëj thirrje prokurorëve të SPAK-ut që ta hetojnë deri në imtësi të gjitha maskarallëqet e aktet korruptive që kanë dalë prej kësaj ministrie dhe nga institucione të tjera të shtetit shqiptar. Populli shqiptar ka nevojë për drejtësi dhe para saj askush nuk mund të jetë i amnistuar, as Veliaj, as Balluku, as Edi Rama dhe as oligarkët.” – tha kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori.