I dërguari kryesor i Rusisë ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara për bisedime “zyrtare” vetëm pak ditë pasi presidenti Trump njoftoi sanksione të reja të ashpra kundër Rusisë, raporton CNN që citon burime që kanë njohuri mbi vizitën.
Kirill Dmitriev, kreu i fondit rus të pasurisë sovrane (RDIF) dhe një i dërguar special i Kremlinit, pritet të takohet me zyrtarë të administratës Trump “për të vijuar diskutimet rreth marrëdhënies SHBA-Rusi,” sipas burimeve.
Vizita vjen mes rritjes së zhgënjimit të SHBA-së për refuzimin e Kremlinit për t’i dhënë fund luftës së tij në Ukrainë dhe pasi Trump tha se kishte “anuluar” një samit të planifikuar me homologun e tij, shefin e Kremlinit Putin.
Dmitriev, i cili ka qenë një avokat i shquar i Kremlinit për bashkëpunim më të ngushtë ekonomik midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, kohët e fundit propozoi ndërtimin e një tuneli “Trump-Putin” midis Alaskës dhe Lindjes së Largët Ruse.
I lindur në Ukrainën e epokës Sovjetike dhe i arsimuar në Harvard dhe Stanford në SHBA, Dmitriev ka punuar si konsulent në firmën amerikane të konsulencës McKinsey dhe si bankier investimesh në Goldman Sachs.
Pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022, Dmitriev u sanksionua nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së, i cili e cilësoi atë si një “bashkëpunëtor të ngushtë të Putinit” dhe familjes së tij.
Departamenti i Thesarit shkroi në vitin 2022 se “Putini dhe rrethi i tij i brendshëm i miqve janë mbështetur prej kohësh te RDIF dhe Dmitriev për të mbledhur fonde jashtë vendit, përfshirë në Shtetet e Bashkuara.”
Në prill, Dmitriev u bë zyrtari i parë rus që vizitoi Uashingtonin, që nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë në Ukrainë. Në atë kohë, vizita e tij – gjatë së cilës u takua me të dërguarin e Trumpit, Steve ëitkoff – u pa si një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet e atëhershme në ngrohje midis Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë.
Qeveria e SHBA-së hoqi përkohësisht sanksionet kundër Dmitrievit për t’i lejuar Departamentit të Shtetit t’i lëshonte atij një vizë për të ardhur në SHBA, i tha një burim CNN-it në prill.
