Zv.kryeministrja Belinda Balluku është regjistruar si person nën hetim nga SPAK.
Prokuroria Speciale ka kryer kontrolle në banesat e disa bashkëpunëetorëve të ngushtë të ministres së Infrastrukturës.
Asaj i është komunikuar që të paraqitet në SPAK ditën e hënë e shoqëruar nga një avokat. Ndaj Ballukut ka disa kallëzime penale, më i fundit ai për Tunelin e Llogarasë, ku kostoja dyshohet se është rritur dhjetëra milionë euro, ndërsa nuk dihet ende nëse hetimi ka të bëjë edhe me çështjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës.
Pak minuta më parë, kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi deklaraoi se prokurorit Dritan Prençi, që ka thirrur Ballukun në SPAK po i bëhet presion i jashtëzakonshëm nga segmente brenda SPAK-ut, nga media dhe nga kryeministri Rama ndërsa dha alarmin se kreu i SPAK-ut Altin Dumani ishte protektori i Ballukut brenda SPAK-ut.
Balluku u emërua ministre e Infrastrukturës në janar 2019 ndërsa zv.kryeministre në korrik 2022.
Disa nga vartësit e zv.kryeministres janë të arrestuar ose nën hetim. Ish-drejtori I ARRSH-së Evis Berberi është i burgosur. Ai u arrestua në mars 2024 me urdhër të SPAK, i akuzuar për korrupsion pasiv dhe pastrim parash në lidhje me përfitimin e fondeve publike përmes skemave me kompani private. Ai u mor i pandehur së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij (Valter Begaj dhe Ervis Lami) dhe 18 anëtarë të komisioneve të prokurimit publik.
Disa zyrtarë të ARRSH-së janë çuar në gjyq lidhur me tenderin e Unazës së Madhe.
Balluku u akuzua publikisht nga paraardhësi i saj Arben Ahmetaj, i cili në një intervistë në media tha se zv.kryeministrja shtoi artificialisht vlerën e Tunelit të Llogarasë që u fitua nga një konsorcium kompanish turke, duke shkuarë nga 140 milionë euro në 190 milionë euro.
Hashtag raportoi se në shtator 2022, një kompani turke, pjesë e konsorciumit që fitoi koncesionin e aeroportit të Vlorës, shiti aksionet e saj te kompania MABCO e Behgjet Pacollit. Megjithatë kontrata u nënshkrua në dhjetor 2022, periudhë kur është bërë pagesa e fundit për Tunelin e Llogarasë.
Tre muaj më pas, kompania koncesionare e aeroportit VIA është paraqitur në BKT dhe ka siguruar një kredi prej rreth 50 milionë eurosh.




