Vendosni fjalën kyçe....

Tenderi 3 milionë euro për gatimin në dy spitale përfundon i ankimuar në KPP


Një procedurë prokurimi me dy lote, e cila synon sigurimin e shërbimit të gatimit në dy spitale në vend, ka përfunduar e ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Vlera e akumuluar e fondit limit për dy lotet ishte rreth 3 milionë euro, ndërsa ankimi duket se lidhet me fazën e vlerësimit dhe shpalljes së fituesve. Procedurat e ankimuara janë dy: Loti 1: “Gatimi dhe shpërndarja e ushqimit (Catering)” në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldine”, me fond limit 185 milionë lekë (rreth 1.8 milionë euro); Loti 2: “Shërbimi i gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit” për Spitalin Universitar të Traumës, me fond limit 217 milionë lekë (rreth 2.2 milionë euro).

Sipas dokumenteve të tenderit, shërbimi i catering-ut duhet të ofrohet me disa dieta specifike dhe gjatë 24 orëve të ditës.

“Ky shërbim është i domosdoshëm të zhvillohet në një format që siguron furnizimin e ushqimit 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik ‘Mbretëresha Geraldine’ ofron shërbime të vazhdueshme për pacientët, duke përfshirë repartet e urgjencës, lindjes, kirurgjisë dhe kujdesit intensiv, si dhe shërbime të tjera ku nevojat ushqimore janë specifike dhe kërkojnë përkujdesje të veçantë. Ushqimi duhet të jetë i gatshëm në çdo moment të ditës dhe natës për të siguruar ushqim të përshtatshëm për pacientët në kushte emergjente apo të tjera specifike mjekësore,” thuhet në dokumente.

Dietat që duhet të ofrohen janë të paktën gjashtë: normale, hidrike B1 post-intervent, pa gluten, diabetike, hiponatrike dhe onkologjike. Për secilën dietë përcaktohet numri i racioneve mujore, i cili ndryshon nga një grup tek tjetri.

Në total, për 48 muaj, parashikohen 132,000 racione për dietën normale dhe 13,000 për dietat mjekësore, ndërsa dietat e tjera kanë numër më të vogël racionesh. Për Spitalin e Traumës, numri i racioneve për dietën normale që dominon llogaritet në 108,000 për 48 muaj, me më pak për dietat e tjera sipas specifikimeve./ N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor