Vendosni fjalën kyçe....

Korporatat shtetërore kineze ndalojnë blerjet e naftës ruse pas sanksioneve amerikane ndaj Rosneft dhe Lukoil



Korporatat shtetërore kineze të naftës kanë pezulluar blerjet e naftës ruse të transportuar me det pas vendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara ndaj kompanive më të mëdha të energjisë në Rusi, Rosneft dhe Lukoil, raportojnë burime tregtare për Reuters.

Vendimi i Pekinit vjen në të njëjtën kohë që rafineritë indiane – blerësit më të mëdhenj të naftës ruse – pritet të shkurtojnë ndjeshëm importet për t’iu përmbajtur sanksioneve të reja të Uashingtonit të vendosura për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Reduktimi i kërkesës nga Kina dhe India, dy klientët kryesorë të Moskës, pritet të godasë të ardhurat e Kremlinit dhe të rrisë çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare, teksa blerësit do të kërkojnë furnizime alternative.

Sipas burimeve, kompanitë PetroChina, Sinopec, CNOOC dhe Zhenhua Oil kanë ndalur përkohësisht blerjet e naftës ruse të transportuar me anije, për shkak të frikës nga pasojat e mundshme të sanksioneve. Asnjë nga këto kompani nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.

Aktualisht, Kina importon rreth 1.4 milion fuçi nafte ruse në ditë, pjesa më e madhe e të cilave blihet nga rafineritë e pavarura, të njohura si “teapots”. Sipas Vortexa Analytics, kompanitë shtetërore kineze kanë blerë më pak se 250 mijë fuçi në ditë nga Rusia në nëntëmujorin e parë të vitit 2025, ndërsa konsulenca Energy Aspects e vlerëson këtë shifër në rreth 500 mijë fuçi në ditë.

Ndërkohë, Unipec, dega tregtare e Sinopec, ka ndalur blerjet e naftës ruse javën e kaluar, pasi Britania vendosi sanksione edhe ndaj flotës “hije” të anijeve dhe disa kompanive kineze të përfshira në tregti me Moskën.

Rusia zakonisht shet pjesën më të madhe të naftës përmes ndërmjetësve, duke shmangur kontratat direkte me blerësit kinezë, ndërsa rafineritë e pavarura pritet të ndalojnë përkohësisht blerjet për të vlerësuar efektin e sanksioneve.

Përpara vendosjes së sanksioneve të reja, çmimi i naftës ruse ESPO për dërgesat e nëntorit ishte ulur në një premium prej 1 dollar për fuçi mbi Brent, nga 1.70 dollarë në fillim të tetorit.

Kina gjithashtu importon rreth 900 mijë fuçi naftë ruse në ditë përmes tubacioneve, që shkon tërësisht tek PetroChina, dhe kjo pjesë e tregtisë pritet të mos preket nga sanksionet.

Ekspertët paralajmërojnë se si Kina ashtu edhe India mund të orientohen drejt furnizimeve nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Amerika Latine, duke shkaktuar rritje të mëtejshme të çmimeve për naftën jo të sanksionuar.