Kina e ka parakaluar SHBA-në si partneri kryesor tregtar i Gjermanisë në tetë muajt e parë të 2025-ës, raportoi Reuters të mërkurën, duke cituar të dhëna paraprake nga zyra gjermane e statistikave.
Ndryshimi vjen pasi Uashingtoni ka vendosur tarifa të konsiderueshme për mallrat nga BE-ja . Shumica e mallrave evropiane tashmë përballen me një tarifë prej 15%, ndërsa tarifa për automjetet është 25%.
Importet dhe eksportet gjermane me Kinën arritën në 163.4 miliardë euro nga janari deri në gusht, ndërsa tregtia dypalëshe e Gjermanisë me SHBA-në arriti në total 162.8 miliardë euro, sipas shifrave.
Eksportet gjermane drejt SHBA-së ranë në 99.6 miliardë euro në periudhën janar-gusht, një rënie prej 7.4% nga një vit më parë, duke pasqyruar kërkesën më të dobët për makinat, makineritë dhe kimikatet gjermane, sipas raportit. Edhe pse importet gjermane të mallrave të SHBA-së u rritën me rreth 9% gjatë periudhës janar-korrik 2025, sipas të dhënave të SHBA-së, Gjermania eksporton shumë më tepër në SHBA sesa importon, duke i dhënë rënies prej mbi 7% të eksporteve një peshë më të madhe në shifrat e përgjithshme tregtare.
Tarifat e SHBA-së kanë pasur një ndikim përçarës në tregtinë globale dhe kanë prekur tregtinë amerikane me shumë vende, tha ëang Yiëei, drejtor i Qendrës për Studime të Bashkimit Evropian në Universitetin Renmin të Kinës, i cituar nga Global Times. Ai theksoi përfitimet e ndërsjella të globalizimit dhe bashkëpunimit dypalësh në kontrast me politikat e ndjekura nga Uashingtoni.
Carsten Brzeski, kreu global i makroekonomisë në ING, i tha Reuters se një rimëkëmbje e eksporteve gjermane drejt SHBA-së ishte “e pamundur në afatin e shkurtër, shkruan Rt.
