Vendosni fjalën kyçe....

Florjan Binaj në takime me qytetarët: Ndryshimi nis me votën, duhet të bëhemi bashkë



Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka vijuar takimet në terren me qytetarët, duke kërkuar mbështetjen e tyre për zgjedhjet e ardhshme. Gjatë takimeve, aktori dhe kandidati është ndalur në biseda të drejtpërdrejta me banorët, ku nuk kanë munguar momentet spontane dhe shprehjet e mbështetjes.

Në një nga ndalesat e ditës, pranë një maceje, Binaj foli për rëndësinë e mbrojtjes së kafshëve dhe ndjeshmërisë ndaj mjedisit, duke theksuar se kujdesi për jetën përreth është pjesë e kulturës qytetare. Gjatë momentit, një kalimtar iu afrua për një foto, duke i thënë: “Votoni Florin.”

Mbështetje i është dhënë edhe nga të rinjtë, të cilët e kanë përshëndetur me entuziazëm. “E ke votën nga ne!”, iu drejtuan disa prej tyre gjatë ecjes së kandidatit në rrugët e kryeqytetit.

Në bashkëbisedimet me qytetarët, janë ngritur edhe shqetësime për largimin e të rinjve jashtë vendit. Një grua i tregoi Binajt se fëmijët e saj janë larguar në emigracion. “Djalin e kam në Austri, edhe vajza do më iki, duhet të bëjmë diçka, ngelëm vetëm,” u shpreh ajo. Kandidati iu përgjigj: “Duhet me u bo bashkë.”

Binaj ka përsëritur se ndryshimi vjen përmes pjesëmarrjes dhe votës së qytetarëve, duke kërkuar angazhim dhe besim për një Tiranë më të drejtë dhe më të jetueshme.