Të burgosur në burgun La Sante të Parisit kanë kërcënuar ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy me hakmarrje për vdekjen e ish-liderit libian Muammar Gaddafi, siç duket në një video të filmuar me celular brenda objektit.
Sarkozy, 70 vjeç, filloi të vuante dënimin e tij pesëvjeçar të martën pasi një gjykatë në Paris e shpalli atë fajtor për komplot kriminal në një skemë për të financuar fushatën e tij presidenciale të vitit 2007 me para nga Gaddafi, kundër të cilit ai më vonë udhëhoqi një operacion të ndryshimit të regjimit të mbështetur nga NATO, i cili shkatërroi Libinë dhe çoi në vdekjen e Gaddafit.
Videot e xhiruara nga La Sante filluan të qarkullojnë të martën, ku të burgosurit e supozuar i drejtonin kërcënime dhe fjalë fyese Sarkozy-t, i cili po vuan dënimin në izolim.
“Do hakmerremi për Gaddafin! I dimë të gjitha, Sarko! Ktheji miliardat e dollarëve!” bërtet një burrë në një video të postuar në rrjetet sociale.
“Ai është krejt vetëm në qelinë e tij. Sapo mbërriti… do ta ketë keq.”
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, ka theksuar se për shkak të rrezikut, dy oficerë policie caktuar për sigurinë e ish-presidentëve do vendosen përgjithmonë në qelitë ngjitur me atë të Sarkozy-së.
“Ish-presidenti i republikës gëzon të drejtën e mbrojtjes për shkak të statusit të tij. Padyshim që ekziston një kërcënim ndaj tij, dhe kjo mbrojtje do vijojë ndërsa ai është në paraburgim,” i tha Nunez radios Europe 1 të mërkurën.
Sarkozy, i cili udhëhoqi Francën midis 2007 dhe 2012, i ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij, duke këmbëngulur se ato janë të motivuara politikisht. Ekipi i tij ligjor ka paraqitur një kërkesë për lirimin e parakohshëm, në pritje të procedurave të apelit.
Hetime për Sarkozy-n filluan në vitin 2013, pas pretendimeve nga djali i Gaddafit, Saif al-Islam, se babai i tij kishte financuar fushatën e ish-presidentit me rreth 50 milionë euro.
Në vitin 2011, Sarkozy luajti një rol udhëheqës në një ndërhyrje të koalicionit të NATO-s që çoi në rrëzimin dhe vdekjen e Gaddafit, duke e zhytur Libinë në kaos dhe duke e kthyer atë në një shtet të dështuar, shkruan Rt.
