
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet t’i kërkojnë Komisionit Evropian më 23 tetor të hartojë një propozim ligjor për shfrytëzimin e 176 miliardë eurove të aseteve shtetërore të ngrira të Rusisë, me qëllim sigurimin eyghztnjë huaje për Ukrainën, përcjel REL.
Sipas planit, kjo hua do të mbulonte pjesën më të madhe të nevojave financiare të Kievit për tre vitet e ardhshme (2026–2028). Paratë do të jepen si një “hua dëmshpërblimi”, të cilën Ukraina do ta shlyejë vetëm pasi Rusia të ketë paguar dëmshpërblimet e luftës.
Burime diplomatike evropiane i thanë Radios Evropa e Lirë se ka gjasa që pajtimi përfundimtar për planin të arrihet deri në fund të këtij viti. Kjo nismë shihet si mënyrë për të kompensuar mungesën e mundshme të fondeve amerikane për Ukrainën, në rast se SHBA-të ulin mbështetjen e tyre.
Plani nuk parasheh konfiskimin e aseteve ruse, të cilat ruhen kryesisht në kompaninë financiare Euroclear në Belgjikë, por përdorimin e tyre si garanci për obligacione që do të lëshohen nga Komisioni Evropian, të mbështetura nga shtetet anëtare të BE-së dhe ndoshta nga vende të tjera të Grupit të Shtatëshes (G7).
Tri çështjet kryesore të hapura
Në javët e ardhshme pritet të zhvillohen negociata për tri çështje kyçe:
Aspektet ligjore, të ngritura kryesisht nga Belgjika si vend pritës i Euroclear-it.
Përdorimi i fondeve nga Ukraina, për të cilin Franca kërkon kufizime që paratë të shpenzohen brenda Evropës për pajisje mbrojtëse.
Pjesëmarrja dhe rreziqet, përfshirë se cilat vende do të marrin pjesë dhe në çfarë mënyre.
Shqetësimet e Belgjikës
Belgjika dhe Banka Qendrore Evropiane kanë shprehur frikën se vende të tjera joanëtare, si Kina, mund të tërheqin pasuritë e tyre shtetërore nga Euroclear për shkak të shqetësimeve politike.
Megjithatë, Komisioni Evropian thekson në një dokument të brendshëm se masa nuk përbën konfiskim, pasi shuma kryesore mbetet e paprekur dhe bëhet fjalë për një hap të përkohshëm.
Belgjika druhet gjithashtu se mund të mbetet përgjegjëse për shlyerjen e huas në rast se Rusia fiton ndonjë padi në gjykatë, por Komisioni thekson se vendimet e gjykatave ruse nuk kanë fuqi zbatimi në territorin e BE-së.
Një sistem garancish të përbashkëta pritet të hyjë në fuqi në vitin 2028, paralelisht me buxhetin e ri afatgjatë të BE-së.
Si do t’i përdorë Ukraina fondet
Franca kërkon që paratë të përdoren kryesisht për blerje të pajisjeve ushtarake evropiane, ndërsa shtete të tjera kërkojnë më shumë fleksibilitet. Komisioni ka propozuar një kompromis në dy faza:
një pjesë për forcimin e industrisë së mbrojtjes ukrainase dhe integrimin e saj në sistemin mbrojtës evropian,
dhe pjesa tjetër për mbështetje buxhetore.
Miratimi i planit
Edhe pse miratimi i huas nuk kërkon njëzëshmëri, BE-ja dëshiron mbështetje sa më të gjerë për të ndarë rrezikun dhe për t’i dhënë peshë politike nismës. Brukseli po synon të përfshijë edhe disa vende të G7-ës, si Britaninë dhe Japoninë, për ta paraqitur këtë si një nismë ndërkombëtare dhe jo vetëm evropiane.
Një zyrtar i BE-së tha për REL se, nëse vende si Hungaria apo Sllovakia nuk do të marrin pjesë, ato mund të zëvendësohen nga shtete të tjera të pasura jashtë BE-së.