42 gjyqtarë të rinj i janë shtuar sistemit të drejtësisë në vend.
Të diplomuarit u betuan në mjediset e KLGJ-së, e cila një ditë më parë i shpërndau ata në 11 gjykata.
Kreu i KLGJ-së Ilir Rusi u bëri thirrje gjyqtarëve të rinj të jenë të ndershëm e të mbajnë lart integritetin e profesionit.
“Tani filloni një rrugëtim të ri, të jesh magjistrat do të thotë të kesh një përgjegjësi të madhe. Është momenti që ju keni një mision. Ju dhe ne në radhë të parë duhet të jemi njerëz. Duhet të keni një barazi të drejtësisë së ligjit dhe drejtësisë hyjnore. Do të jeni vëmendja e të gjithëve, jo ju personalisht, por profesioni juaj. Vendimi që do të merrni ka shumë rëndësi. Krijoni personalitetin tuaj në raport me integritetin. Nëse keni integritet misoni është përmbushur. Mos jini krenar ende për veten tuaj, koha do të tregojë sa krenarë do të jeni. ”, tha Ilir Rusi.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, theksoi se betimi nuk duhet të jetë vetëm një ceremoni formale, por një zotim që do t’i shoqërojë gjatë gjithë karrierës.
“Besoj se duke njohur kandidatët për të gjitha sakrificat që kanë bërë jam i bindur se betimin nuk do ta konsideroni vetëm si një fjalë, por si një premtim që do t’ju shoqërojë gjatë gjithë jetës. Kur të mblidhemi në të ardhmen do të rikujtoijmë se çfarë kemi besuar te njëri-tjetri. Pres suksese për të gjithë ju”, tha Rakipi.
