
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk dëshiron një “takim të kotë” me presidentin rus Vladimir Putin, pasi planet për bisedime ballë për ballë mbi luftën në Ukrainë janë pezulluar.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë të martën, Trump tha se pengesa kryesore mbetet refuzimi i Moskës për të ndalur luftimet përgjatë vijës aktuale të frontit. Më herët, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë kishte konfirmuar se “nuk ka plane për një takim Trump–Putin në të ardhmen e afërt”, pas deklaratës së Trump javën e kaluar se dy liderët do të takoheshin në Budapest brenda dy javësh, përcjell BBC.
Këto zhvillime duket se kanë zbehur mundësitë për një samit, ndërsa dallimet mes propozimeve të SHBA-së dhe Rusisë për paqe janë bërë më të thella.
Trump dhe Putin u takuan për herë të fundit në gusht në Alaskë, në një samit të organizuar me nxitim që nuk solli rezultate konkrete. Vendimi për të shtyrë takimin e dytë shihet si përpjekje për të shmangur një skenar të ngjashëm.
“Mesa duket rusët kërkuan shumë, dhe amerikanët e kuptuan se nuk do të ketë marrëveshje për Trump në Budapest,” – tha për Reuters një diplomat i lartë europian.
Një takim paraprak mes Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov ishte planifikuar për këtë javë, por pas një telefonate që u përshkrua si “produktive”, Shtëpia e Bardhë tha se një takim fizik nuk ishte më “i nevojshëm”.
Të hënën, Trump mbështeti një propozim armëpushimi të mbështetur nga Kievi dhe liderët europianë për të ngrirë konfliktin në vijën aktuale të frontit.
“Le të ndahet ashtu siç është,” – tha ai. – “E thashë: ndërpritni në vijën e betejës, shkoni në shtëpi, ndaloni luftimet, ndaloni vrasjet.”
Por Rusia ka kundërshtuar vazhdimisht idenë e ngrirjes së vijës së kontaktit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se kjo ide i është propozuar shpesh Moskës, por se “qëndrimi i Rusisë nuk ndryshon” – duke iu referuar kërkesës që trupat ukrainase të tërhiqen plotësisht nga rajonet lindore.
Ministri Lavrov deklaroi se Moska është e interesuar vetëm për një “paqë të qëndrueshme dhe afatgjatë”, duke nënkuptuar se ngrirja e frontit do të ishte vetëm një armëpushim i përkohshëm. Ai shtoi se duhen adresuar “shkaqet themelore të konfliktit”, duke nënkuptuar kërkesat maksimale të Kremlinit për njohjen e sovranitetit të plotë rus mbi Donbasin dhe çmilitarizimin e Ukrainës — kushte të papranueshme për Kievin dhe aleatët e tij europianë.
Në të njëjtën ditë, liderët europianë dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky publikuan një deklaratë të përbashkët, ku theksonin se çdo bisedë për paqe duhet të nisë me ngrirjen e vijës aktuale të frontit dhe akuzuan Rusinë se “nuk është serioze” në kërkimin e paqes.
Zelensky e quajti diskutimin për vijën e frontit “fillimin e diplomacisë”, për të cilën, sipas tij, Moska po përpiqet të shmangë çdo mënyrë. Ai shtoi se e vetmja temë që mund ta bëjë Rusinë “të kushtojë vëmendje” është furnizimi i Ukrainës me armë me rreze të gjatë.
Trump kishte folur me Putinin për samitin në Budapest një ditë para se të priste Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë. Sipas disa raportimeve, biseda mes tyre ishte “e tensionuar”, me burime që thanë se Trump kishte kërkuar nga Zelensky të dorëzonte territore në rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut, të njohura si Donbas, si pjesë e një marrëveshjeje me Rusinë.
Megjithatë, Zelensky ka theksuar se Ukraina nuk mund të heqë dorë nga asnjë pjesë e Donbasit që kontrollon ende, pasi kjo do t’i hapte rrugë sulmeve të reja ruse në të ardhmen.
Telefonata e papritur e Putinit me Trump javën e kaluar erdhi pas spekulimeve se SHBA po përgatitej të dërgonte raketa me rreze të gjatë Tomahawk në Kiev — armë që mund të godasin objektiva thellë në territorin rus. Zelensky tha se ishte pikërisht çështja e raketave që e detyroi Rusinë të ulej në diskutim.
Edhe pse nga vizita në Uashington nuk mori premtime konkrete, Zelensky tha se bisedimet për raketat ishin “një investim i fortë në diplomaci”.