
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur sot në Izrael në kuadër të një vizite zyrtare, pas ftesës së homologut izraelit Gideon Sa’ar.
Vizita e saj nis me një akt simbolik nderimi për viktimat e masakrës së 7 Tetorit 2023, ku mbi 1200 civilë humbën jetën gjatë sulmit në Festivalin Nova.
Në ndalesën e parë të vizitës, Spiropali vendosi lule në vendin ku ndodhi tragjedia, duke shprehur solidaritetin e Shqipërisë me popullin izraelit.
“Kthimi i të gjitha pengjeve në shtëpi do të ishte një hap vendimtar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor,” u shpreh ajo.
Nga Izraeli, Spiropali konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar së fundmi nga Presidenti Trump, duke e cilësuar atë si “të vetmen mënyrë për stabilitet në Lindjen e Mesme dhe bashkëjetesë në siguri e dinjitet për të dy popujt”.
Gjatë vizitës, ministrja shqiptare do të zhvillojë takime bilaterale me ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar dhe Kryetarin e Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana.
Diskutimet do të fokusohen në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet rajonale, bashkëpunimin ekonomik, inovacionin dhe interesat e përbashkëta strategjike.
Spiropali pritet të vizitojë edhe Memorialin “Yad Vashem”, qendrën e përkujtimit dhe dokumentimit të Holokaustit, ku shqiptarët nderohen si një nga popujt që rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.