Vendosni fjalën kyçe....

Sot në Londër mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, Rama dhe Kurti në të njëjtën tryezë pas polemikave të fundit



Në Londër zhvillohet sot samiti i radhës i Procesit të Berlinit, i cili do të mbledhë gjashtë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Dy liderët shqiptarë do të ndajnë të njëjtën tryezë pas polemikave të fundit në distancë lidhur me tubimin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Tiranë dhe qëndrimet për Gjykatën Speciale të Hagës.

Samiti i këtij viti pritet të fokusohet në çështjet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe migrimit, ndërsa udhëheqësit e vendeve të rajonit do të nënshkruajnë deklarata të përbashkëta për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin energjetik.

Sipas axhendës zyrtare, kryeministri Rama do të pritet nga homologu britanik, Keir Starmer, në orën 14:20, ndërsa fotoja familjare është planifikuar për në 14:45.
Në ora 15:00 do të nisë seanca plenare e samitit, e ndarë në dy panele:

  • “Ambicia dhe Vizioni Strategjik”, ku do të mbajë fjalën edhe Edi Rama;

  • “Rritja, Migrimi dhe Siguria”, ku kryeministri shqiptar do të marrë sërish fjalën.

Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, synon të forcojë bashkëpunimin rajonal, të nxisë zhvillimin ekonomik dhe të afrojë Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian, duke përfshirë qeveritë e gjashtë vendeve të rajonit dhe partnerë të rëndësishëm evropianë.