
Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar kanë riafirmuar mbështetjen e tyre për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke konfirmuar se do ta vazhdojnë angazhimin për të paktën edhe tre vjet të tjerë, deri në dhjetor 2028. Vendimi është mirëpritur nga vetë KFOR-i, i cili e cilësoi si një kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përcjell REL.
Në një njoftim zyrtar, Qeveria britanike theksoi se Mbretëria e Bashkuar ka qenë kontribuuese kryesore në KFOR që prej hyrjes së forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, “për të sjellë paqe dhe stabilitet pas konfliktit në vitet ’90”. Sipas njoftimit, angazhimi britanik përqendrohet rreth një force rezervë prej qindra ushtarësh, të cilët mund të dislokohen shpejt në Kosovë për të mbështetur misionin, nëse paraqitet nevoja. Dislokimi më i fundit i trupave britanike u krye në vitin 2023, pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Qeveria në Londër bëri të ditur se zgjerimi i mbështetjes së saj për KFOR-in është pjesë e zbatimit të qasjes strategjike “NATO në radhë të parë”, të parashikuar në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se përkushtimi i vendit të tij për paqe dhe siguri në rajon mbetet i qëndrueshëm.
“Përkushtimi i Mbretërisë së Bashkuar për paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. Duke zgjatur mbështetjen për KFOR-in, ne po tregojmë rolin tonë si aleat udhëheqës i NATO-s dhe si shtet që qëndrojmë mbi vlerat e stabilitetit dhe demokracisë. Puna e ngushtë me partnerët tanë është vitale, jo vetëm për stabilitetin rajonal, por edhe për sigurinë në shtetin tonë,” deklaroi Starmer. Njoftimi u publikua pak para nisjes së samitit të Procesit të Berlinit, që këtë vit mbahet në Londër.
Ndërkaq, ministri britanik i Forcave të Armatosura, Alistair Carns, vlerësoi se trupat britanike kanë kryer qindra misione në mbështetje të KFOR-it, duke shtuar se “zgjerimi i këtij angazhimi do të mbajë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor më të sigurt”. Nga ana e saj, komanda e KFOR-it e mirëpriti vendimin e Mbretërisë së Bashkuar, duke theksuar se “angazhimi i vazhdueshëm i Londrës forcon përpjekjet për të ofruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për të promovuar stabilitet në mbarë rajonin”.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX. Misioni i NATO-s ka rol kyç në ruajtjen e sigurisë përgjatë vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Prania e KFOR-it u shtua gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës. Aktualisht, misioni paqeruajtës i NATO-s numëron mbi 4.600 trupa nga 33 shtete anëtare dhe partnere.