Jorida Tabaku akuzoi sot shumicën parlamentare të PS-në dhe qeverinë e saj për moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Demokratja vërejti se këto veprime të socialistëve kanë prodhuar shpesh kriza politike në vend.
Tabaku përmend rastin e ish-ministres e deputetes së PS-së Olta Xhaçka, rast që është përmendur edhe nga ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj në një intervistë me Zërin e Amerikës.
“Parlamenti hodhi në koshin e harresës një vendim të prerë të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetes Xhaçka, duke u angazhuar në një sërë manovrash dhe akrobacish ligjore për t’iu shmangur zbatimit të vendimit. Kjo nuk qe vetëm shkelje ligji, por goditje ndaj vetë rendit kushtetues dhe besimit të qytetarëve tek drejtësia. Por jo vetëm kaq. Detyra e Gjykatës Kushtetuese nuk është të merret vetëm me konfliktet tona politike. Ajo ka për mision të mbrojë tri vlera themelore: shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, tha Tabaku.
