
Kryeministri Edi Rama, nga Londra ku po merr pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, ka komentuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e quajtur të nevojshme reformimin e BE-së përpara anëtarësimeve të reja.
Gjatë panelit “Ballkani Perëndimor dhe BE”, Rama theksoi se procesi i integrimit nuk mund të jetë një qasje “gjithçka ose asgjë”, ndërsa u shpreh se edhe një anëtarësim pa të drejtë vetoje do të ishte i mirëpritur për Shqipërinë.
“Procesi nuk mund të jetë gjithçka ose asgjë — derisa të bëhesh anëtar, dhe sa kohë je kandidat, nuk ke asgjë. Shtetet anëtare, këtu po flas për shtetet anëtare përreth nesh, marrin nga BE kontribut prej rreth 4500 euro për frymë, ndërsa kur bëhet fjalë për ne, kontributi është 160-170 euro për frymë. Kjo është e pamundur,” tha Rama.
Ai shtoi se Shqipëria ka qenë një nga zërat që ka kërkuar më shumë mbështetje financiare për vendet kandidate.
“Kemi avokatuar për këtë gjë dhe nga kjo nxitje që ne bëmë, ja dolëm të gjejmë veshë që na dëgjuan për të pasur planin e rritjes dhe para shtesë për të financuar reformat, që nuk është aspak e krahasueshme me pjesën tjetër, por është pak ndryshe,” theksoi kryeministri.
Në fjalën e tij, Rama kritikoi mënyrën se si Bashkimi Europian funksionon përmes konsensusit të plotë mes vendeve anëtare, duke e quajtur këtë model të ngarkuar me “dëshpërim të artë” dhe vështirësi vendimmarrjeje.
“Ka një dëshpërim shumë të artë mes vendeve të BE-së, atyre të mëdha, sa i përket barazisë rreth tryezës që duhet të arrijnë konsensus. Kur të na shihni ne, do thonë ‘Oh Zot, kemi më shumë nga ata që sjellin telashe’ dhe në fund thua ‘jo, jo’. Pastaj vendimi ka veto — kanë të drejtë, jo për veton, por për faktin që janë kaq të frustruar,” deklaroi ai.
Duke folur për mundësinë e një statusi të veçantë për Shqipërinë brenda BE-së, Rama u shpreh se një anëtarësim pa të drejtë vetoje do të ishte i pranueshëm, për sa kohë Unioni reformon mekanizmat e tij të brendshëm.
“Marrja jonë si anëtar me një status ndryshe është e mirëpritur, pa të drejtë vetoje dhe votimi, për sa kohë BE do të reformojë veten. Kjo reformë ka qenë kryefjalë për kaq shumë dekada. Është e vështirë të reformosh mekanizma. Kur vjen fjala për të vendosur, ne jemi linjë dhe ndjekim. Kur ndodh ndonjë bela e madhe, askush nuk mund të na fajësojë, ndërsa kur ka sukses, jemi pjesë e suksesit,” përfundoi Rama.