Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Drejtësisë së Kosovës: Vettingu proces i domosdoshëm, ka ekspozuar korrupsionin e mungesën e meritokracisë


Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu, gjatë konferencës në Tiranë “30 vite partneritet me Këshillin e Evropës dhe Komisionin e Venecias”, tha se procesi i vettingut është i domosdoshëm për të pastruar sistemin nga korrupsioni dhe mungesa e meritokracisë.

Sallahu theksoi se “më mirë një boshllëk i përkohshëm se sa një drejtësi e kalbur”, duke shtuar se vettingu është dera që hap rrugën për një sistem më të ndershëm dhe të pavarur që i shërben ligjit, jo pushtetit.

“Vettingu proces i domosdoshëm, ka ekspozuar plagët e sistemit tonë, korrupsionin, mungesën e meritokracisë. Është të ndarë të drejtën nga e padrejtësia, për të ndarë shërbimin publik nga shërbimi personal. Më mirë një boshllëk i përkohshëm se sa një drejtësi e kalbur.

Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për një drejtësi që nuk i shërben pushtetit, por të drejtës, një drejtësi që nuk është e verbër përballë padrejtësisë.

Vettingu është dera që hapet për një sistem të ri, më të ndershëm dhe duhet të mbrohet nga të gjithë ne me kurajo dhe përkushtim”, tha ai.