Vendosni fjalën kyçe....

Kryetari i Gjykatës së Lartë: Reforma në drejtësi nuk ka dështuar, ajo u pengua nga mungesa e vullnetit politik dhe guximit për ta zbatuar me ndershmëri


Në konferencën e organizuar me rastin e 30-vjetorit të pranimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prof. Sokol Sadushi, mbajti një fjalim të fortë dhe reflektues mbi rrugëtimin e drejtësisë shqiptare, nga reforma te konsolidimi institucional.

Ai theksoi se “Reforma në drejtësi nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe ndershmëri me të cilën u ndërtua.

Ajo lindi nga konsensusi më i gjerë politik në historinë e pluralizmit shqiptar, me 140 vota ‘pro’ dhe me dakordësinë e plotë të Komisionit të Venecias, që u bë garancia ndërkombëtare e legjitimitetit të saj.”

Kryetari Sadushi vuri në dukje se reforma nuk është një projekt vetëm i drejtësisë, por një sfidë kombëtare që përfshin politikën, administratën dhe çdo institucion që mban përgjegjësi ndaj qytetarit.

“Reformimi nuk është vetëm detyrë e drejtësisë, por edhe e politikës, e administratës dhe e çdo institucioni që mban përgjegjësi ndaj qytetarit.

Është vetë politika ajo që duhet të tregojë ndryshim dhe përgjegjshmëri, sepse vetëm një politikë e pjekur dhe një drejtësi me integritet mund të garantojnë së bashku një sistem të qëndrueshëm dhe të pavarur.”

Sadushi theksoi se drejtësia shqiptare duhet të hyjë në fazën e vetëpërmirësimit dhe të konsolidimit, duke e çliruar veten nga “kompleksi i reformave” dhe duke fituar besimin përmes sjelljes dhe vendimeve të ndershme. “Qytetari nuk kërkon drejtësi të përsosur, por drejtësi që përpiqet çdo ditë të jetë më e drejtë. Besimi nuk fitohet me fjalë, por me sjellje dhe me vendime që mbrojnë ligjin dhe dinjitetin njerëzor.”

Në fjalën e tij, Kryetari i Gjykatës së Lartë kujtoi rolin historik të Komisionit të Venecias si udhërrëfyes moral dhe intelektual në rrugën e reformave shqiptare.

Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një shtyllë themelore e drejtësisë shqiptare, por maturia e sistemit matet me aftësinë për ta kthyer bashkëpunimin në përgjegjësi të brendshme.

“Komisioni i Venecias nuk ka qenë thjesht ndihmë teknike, por një udhëzim moral që e bëri drejtësinë shqiptare pjesë të familjes evropiane të ligjit.

Drejtësia e vërtetë nuk ndërtohet nga të tjerët për ne, por ndërtohet bashkë, me përkushtim, guxim dhe besim.”

Në përfundim, Kryetari Sadushi u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë dhe politikës që të mbajnë gjallë frymën e reformës përmes integritetit, guximit dhe përulësisë para ligjit: “Le ta bëjmë drejtësinë pasqyrë të më të mirës që kemi si komb, me integritet që nuk blihet, me dinjitet që nuk përkulet dhe me etikë që nuk komprometohet.”