
Dy shtetas kinezë janë arrestuar nga Policia Kufitare në aeroportin e Rinasit, pasi u kapën duke tentuar të fusnin në Shqipëri 100 kilogramë kanabis, të ndarë në dy valixhe.
Sipas autoriteteve, lënda narkotike ishte nisur nga Tajlanda, me tranzit në Emiratet e Bashkuara Arabe, përpara se të mbërrinte në Tiranë.
Pas një sinjalizimi nga autoritetet e huaja, policia shqiptare vuri në pranga dy shtetasit kinezë sapo ata mbërritën në aeroport. Rasti është përcjellë te Drejtoria e Antidrogës në Tiranë për hetime të mëtejshme.
Sasia e kapur e kanabisit kishte përqindje të lartë të përbërësit THC, duke e bërë atë me vlerë të konsiderueshme në tregun ndërkombëtar të narkotikëve.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbuluar nëse pas këtij rasti fshihet një rrjet ndërkombëtar trafiku droge që operon mes Azisë dhe Evropës.