
I dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, së bashku me dhëndrin e tij Jared Kushner, ndodhen në Izrael, në një kohë kur presidenti amerikan konfirmoi se armëpushimi në Gaza ende është në fuqi.
Vizita e tyre vjen pas një fundjave të tensionuar, pasi ushtria izraelite njoftoi se kishte kryer një seri goditjesh ndaj Hamasit të dielën, ndërsa të dyja palët, Izraeli dhe Hamasi, akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.
Sipas BBC , çështjet më të ndërlikuara që mbeten ende të pazgjidhura nga plani i paqes i presidentit Trump lidhen me të ardhmen e Gazës dhe të vetë Hamasit, dy tema që mbeten thelbësore për çdo zgjidhje afatgjatë të konfliktit.
Ndërkohë, Izraeli ka njoftuar se po rishqyrton hapjen e dy pikave kufitare për hyrjen e ndihmave humanitare në territorin e Gazës.
Megjithatë, një zyrtar i agjencisë së OKB për refugjatët palestinezë (UNRWA), Sam Rose, tha për BBC se sasia e ndihmave që po hyjnë në Gaza mbetet “larg së mjaftueshmes” për të përballuar krizën e rëndë humanitare.
“Është një lehtësim që pikat kufitare po rihapen, por kufizimet burokratike po pengojnë shpërndarjen e ndihmave në terren,” theksoi Rose, duke shtuar se vonesat administrative dhe kufizimet e vendosura nga autoritetet izraelite po ngadalësojnë dërgimin e ushqimeve, ujit dhe medikamenteve jetike për popullsinë civile.