
Një aksident tragjik ka ndodhur në zonën e Novarës, në veri të Italisë, ku një i ri humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën pasi u goditën nga një tren në stacionin Trecate.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të mbrëmjes, kur, sipas të dhënave paraprake, tre të rinjtë kishin kaluar shinat pasi kishin zbritur nga një tren. Pikërisht në atë moment, një tjetër tren që po i afrohej platformës në drejtim të Milanos i goditi ata.
Të tre djemtë mendohet të jenë shtetas të huaj në të njëzetat, por ende nuk janë identifikuar, pasi nuk mbanin me vete dokumente identifikimi.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, por njëri nga të rinjtë ndërroi jetë në vend, ndërsa dy të tjerët u dërguan në spitalin “Maggiore” të Novarës — njëri në gjendje kritike dhe tjetri me plagë të moderuara.
Policia hekurudhore ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e sakta të ngjarjes.