Vendosni fjalën kyçe....

Udhëheqësit evropianë po kërkojnë shtigje për të ndikuar te Trump në samitin e ri me Putinin


Udhëheqësit evropianë po nxitojnë sërish për një vend në tryezën e negociatave pasi kontakti i fundit i presidentit rus Putin me atë amerikan Trumpin kërcënon të hedhë në erë përpjekjet e tyre për të intensifikuar presionin ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Trump tha se do mbajë një samit të dytë me Putinin, këtë herë në Budapest, pasi dy udhëheqësit zhvilluan bisedime të gjata përmes telefonit të enjten. Njoftimi erdhi ndërsa Trump u takua të premten në Uashington me presidentin ukrainas Zelensky, i cili kërkon raketa Tomahaëk nga SHBA-ja për të ndihmuar forcat e tij të godasin më thellë në Rusi.

Biseda mes të dyve vjen ndërkohë që dukej se për Ukrainën kishte ardhur çasti i volitshëm me Trump-in, thanë katër zyrtarë evropianë, duke shprehur shqetësim për njoftimin e samitit. Kreu rus po përpiqet të fitojë kohë dhe po përpiqej të nxirrte nga shinat negociatat e Zelensky-t në Shtëpinë e Bardhë, sipas zyrtarëve, të cilët kërkuan të mos identifikoheshin duke qenë së bëhet fjalë për diskutime të ndjeshme.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian duhet të qëndrojnë të palëkundur kundër Rusisë dhe të gjejnë mënyra për të kundërshtuar ndikimin e Putinit te Trumpi në samit, thanë dy nga zyrtarët. Njëri sugjeroi që presidenti finlandez Alexander Stubb, i cili ishte një figurë kyçe në bisedimet e Shtëpisë së Bardhë pas samitit të Trumpit me Putinin në Alaska në gusht, duhet të jetë i pranishëm në Hungari.

“Samiti përfundimisht ndalon zemërimin e Uashingtonit që të mos acatohet edhe më shumë me Rusinë dhe ushtrimit të më shumë presioni mbi Rusinë,” tha Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Eurasia në Berlin.

“Ky është lajm i keq për Ukrainën.”

Nuk është e qartë në këtë fazë nëse Trump do e ftojë Zelensky-n t’i bashkohet bisedimeve në Budapest në një samit trepalësh.

Zgjedhja e vendit i ka lënë udhëheqësit e tjerë evropianë të shqetësuar për rezultatin e bisedimeve të planifikuara. Trump shtroi tapetin e kuq për Putinin në samitin e Alaskës, duke i dhënë atij një fitore diplomatike pas vitesh në të ftohtë për shkak të luftës.

Por presidenti amerikan nuk arriti të siguronte një armëpushim që ai e kishte vendosur si objektiv kyç të takimit. Putin nuk bëri asnjë lëshim dhe madje foli i pari me gazetarët në podium, përkrah Trump-it pas bisedimeve, zakonisht privilegj i mikpritësit. Më pas ai vijoi të shtonte sulmet e tij ndaj Ukrainës.

Zelensky dhe udhëheqësit kryesorë evropianë nxituan në Uashington ditë më vonë për të bindur Trump-in të mbështeste Ukrainën. Ata siguruan një angazhim për t’u bashkuar me garancitë e sigurisë si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje dhe për të rezervuar diskutimin mbi shkëmbimet e mundshme territoriale me Rusinë për më vonë.

Pas suksesit në arritjen e një përparimi për të ndalur luftimet në Gaza midis Hamasit dhe Izraelit, Trump e ka kthyer vëmendjen e tij sërish te lufta e Rusisë kundër Ukrainës, të cilën ai u zotua, siç dihet, gjatë fushatës së tij zgjedhore se do t’i jepte fund brenda një dite pas kthimit në presidencë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se njoftimi i samitit të Budapestit po e bën atë më shpresëdhënës se Trump është serioz për të sjellë paqen në Ukrainë.

“Nëse plani me 20 pika për t’i dhënë fund luftës në Gaza do shërbejë si model për suksesin e kësaj presidence, atëherë ai do vijojë të përqendrohet në Ukrainë dhe të kërkojë t’i japë fund luftës atje,” tha Merz në një intervistë për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung të botuar të premten.

“Presidenti Trump e di përgjegjësinë që ka. Ai i di edhe mundësitë që ka,” tha kancelari.

Rusia po vijon sulmet e pamëshirshme me dronë dhe raketa ndaj qyteteve ukrainase ndërsa trupat e saj vijojnë ngadalë përparimet në vijën e frontit në Ukrainën lindore dhe jugore. Trump ka shprehur zhgënjim në rritje me kundërshtimin e Putinit për t’i dhënë fund luftës që tani është në vitin e saj të katërt, megjithëse ai ka shtyrë vazhdimisht kërcënimet për të vendosur masa ndëshkuese ndaj Rusisë.

Ai gjithashtu kishte përshtatur një ton gjithnjë e më të ngrohtë ndaj Zelensky-t në javët e fundit – një ndryshim i thellë nga qëndrimi i tij më i ftohtë ndaj kreut ukrainas më herët në administratën e tij, i cili përfshinte një qortim publik në Zyrën Ovale në shkurt.

Zelensky po kërkonte të përfitonte nga pakënaqësia e Trump-it me Putinin për të ripërtërirë lutjet për mbrojtje ajrore dhe ndihmë në gjetjen e burimeve të reja të energjisë së bashku me Tomahawk-ët e dëshiruar.

Pas marrëveshjes së Gazës, “Kremlini mund të jetë duke u përpjekur të përfitojë nga gatishmëria e Trump-it për të detyruar marrëveshje në rrethana që duket se janë të pazgjidhshme, dhe shpreson ta sjellë atë në avantazh të Rusisë në vend që ta lërë Ukrainën të udhëheqë bisedën,” tha Emily Ferris, një studiuese e lartë në Royal United Services Institute në Londër.

“Skenari më i keq është që Putini arrin të bindë Trumpin se ai është pala më e arsyeshme dhe kjo ndikon në interesin e Trumpit për të folur me Zelenskyn këtë javë.”

Nuk mund të ketë asnjë vendim për Ukrainën pa përfshirjen e Kievit në diskutime, u tha gazetarëve ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul në Ankara pas bisedimeve të premten me homologun e tij turk.

“Unë i shoh bisedimet në Budapest si një përpjekje të dytë, pas bisedimeve në Alaskë, për të bindur përfundimisht presidentin Putin të negociojë seriozisht me Ukrainën,” tha ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg