Vendosni fjalën kyçe....

Udhëtonte i armatosur, arrestohet 30-vjeçari në Lezhë



Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Tranziti”, zhvilluar për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje. Si rezultat, është arrestuar në flagrancë një 30-vjeçar nga Shkodra, i cili udhëtonte i armatosur me armë zjarri.

Operacioni u realizua nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Gjatë kontrollit të një automjeti taksi në aksin Lezhë–Shkodër, pranë rrethrrotullimit të Shëngjinit, policia ndaloi një pasagjer të dyshuar për mbajtje armësh pa leje.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit G. U., 30 vjeç, banues në Shkodër, iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë, së bashku me dy krehra dhe municion luftarak.

Në vijim të veprimeve procedurale, 30-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe do të përballet me akuzën për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, sipas parashikimeve të Kodit Penal.

Policia bën me dije se arma e sekuestruar do të dërgohet për ekspertizë balistike në Institutin e Policisë Shkencore, për të përcaktuar nëse është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore.