Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Korrupsioni me Aeroportin e Vlorës ka kaluar çdo kufi, përgjegjës Rama dhe Balluku


Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas debateve mbi çështjen e Aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar atë si një “megaaferë korruptive që ka kaluar çdo kufi”.

Në një postim në Facebook, Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministren Belinda Balluku si përgjegjës për një aferë që, sipas tij, përbën rrezik për sigurinë kombëtare.

Ai theksoi se qeveria po përpiqet të heshtë opozitën për të shmangur debatet dhe kontrollin parlamentar, ndërsa paralajmëroi se opozita do të reagojë me protesta për mbrojtjen e interesit publik dhe funksionimit demokratik të Kuvendit.

Postimi:

Korrupsioni me Aeroportin e Vlorës ka kaluar çdo kufi të imagjinueshëm edhe për vendet e botës së tretë. Një aferë gjigande financiare është shndërruar në rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.

E pangjashme me asgjë më parë në këto 35 vjet, kjo megaaferë ka dy përgjegjës: Edi Ramën dhe Belinda Ballukun. Prandaj këta duan një opozitë memece në Kuvendin e Shqipërisë.

Prandaj këta nuk duan as debat, as kontroll parlamentar, as pyetje, asgjë që i gërvisht aferat monstruoze të kësaj Qeverie.

I siguroj Edi Ramën dhe Belinda Ballukun se opozita nuk do të lejojë degradimin e Kuvendit dhe shndërrimin e tij në një organizëm memec, që kurdiset sipas interesit të Edi Ramës.

Do të reagojmë, do të protestojmë në mbrojtje të funksionimit demokratik të Kuvendit dhe në mbrojtje të interesit publik.

Gjithashtu, e siguroj Belinda Ballukun se me kryeaferën, që mban firmën e saj “Aeroporti i Vlorës”, do të merremi me seriozitetin më maksiamal.