
Qindra qytetarë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare janë mbledhur këtë të mërkurë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të protestuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët mbahen në Hagë prej pesë vitesh.
Tubimi mbahet me moton “Liria ka emër” dhe sheshi është mbuluar me flamuj kuqezi dhe të UÇK-së.
Në protestë merr pjesë edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili është parë pranë deputetëve socialistë.
Fjalë do të mbajnë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Pritet të jenë të pranishëm edhe kryebashkiaku i Prishtinës Përparim Rama dhe Lutfi Haziri nga LDK. Për mbarëvajtjen e tubimit, qarkullimi në Bulevardin e Ri u bllokua për dy orë.
Protesta ka shkaktuar polemika politike mes kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë.
Albin Kurti akuzoi Edi Ramën se fluturoi me helikopter drejt Kosovës për të bindur palët të votonin pro ngritjes së Gjykatës Speciale, ndërsa Rama tha se nuk mori pjesë për shkak të politizimit dhe se Kurti do ta donte Hashim Thaçin për jetë në Hagë.
Veteranët dhe protestuesit kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat të katërt i mohojnë.