
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur mbështetjen e tij të palëkundur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar atë si shtyllën kryesore të lirisë së Kosovës dhe një kapitull të lavdishëm të historisë kombëtare shqiptare.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, Presidenti Begaj shkruan:
“UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi.”
Deklarata e kreut të shtetit vjen në të njëjtën ditë kur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u zhvillua një protestë masive në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Qindra qytetarë, ish-ushtarë të UÇK-së, veteranë, familjarë dëshmorësh dhe aktivistë morën pjesë në tubim, duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhin: “Drejtësi për çlirimtarët”.
Protesta ishte një shenjë e qartë e solidaritetit mbarëkombëtar ndaj atyre që konsiderohen figura kyçe të luftës për lirinë e Kosovës.