
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar një debat të ashpër me ministrin Niko Peleshi dhe kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Blushi akuzoi mazhorancën se po shkatërron parlamentarizmin përmes arrogancës dhe sjelljeve përjashtuese ndaj opozitës.
“Arroganca, injoranca dhe rrugaçëria po shkatërrojnë parlamentarizmin, dhe për këtë janë fajtorë Partia Socialiste dhe kryetari i Kuvendit,” deklaroi Blushi.
Ai theksoi se mbyllja e seancave plenare dhe përjashtimet kolektive të opozitës janë në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
“Ju nuk po ndëshkoni opozitën duke mbyllur seancat, por po ndëshkoni vetë parlamentarizmin. Ju po përjashtoni në bllok opozitën, kur për çdo shkelje ndëshkimi duhet të jetë personal për çdo deputet,” u shpreh Blushi.
Duke iu drejtuar Taulant Ballës, ai shtoi se e vetmja mënyrë për të rikthyer normalitetin është zbatimi i Rregullores dhe Kushtetutës, jo marrëveshje politike.
“Jepini fund patetizmave dhe sentimentalizmit etik hipokrit. Sjelljet rrugaçërore në Parlament duhet të marrin fund,” përfundoi Blushi.