
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i hapi rrugë Presidentit të Republikës për të shpallur vakancën në vendin e anëtares Sonila Bejtja.
Në një konferencë për mediat, Berisha e cilësoi vendimin si një ngjarje të rëndë, duke akuzuar Gjykatën se ka vendosur të “shkallmojë ligjet e veta”.
Ai tha se institucioni më i lartë i drejtësisë është kthyer në “noter të veprimeve antikushtetuese e antiligjore”.
“Gjykata Kushtetuese vendos shkelmimin e ligjit të saj. Ajo bëhet noterë e një serie veprimesh antikushtetuese, antiligjore, të eksponentit më kryesor të mafies në drejtësinë shqiptare, me emrin Sokol Sadushi, dhe presidentit antikushtetues,” deklaroi Berisha.
Duke iu referuar vendimit për ndërprerjen e mandatit të gjyqtares Bejtja, e emëruar në vitin 2020 me dekret të presidentit Meta, Berisha theksoi se vendimi bie ndesh me Kushtetutën.
“Gjykata vendosi të shpallë ndërprerjen e mandatit të saj, ndonëse Kushtetuta, në nenin 125 pika 6, përcakton qartë se përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet me një të tretën e saj,” shtoi kreu i opozitës.
Berisha e akuzoi Gjykatën se po shërben për interesa politike dhe po minon rendin kushtetues në vend.