Vendosni fjalën kyçe....

Disa rafineri indiane po largohen nga nafta ruse, pas deklaratës së Trump për ndalimin e blerjeve


Disa rafineri në Indi po përgatiten të ulin importet e naftës nga Rusia, thanë për Reuters tre burime të enjten, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se India i kishte dhënë garanci se do të ndalonte blerjet për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë.

India dhe Kina janë dy blerësit më të mëdhenj të naftës së papërpunuar ruse që transportohet me det, duke përfituar nga çmimet e ulëta që Moska ofroi pasi humbi tregun europian pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Sipas burimeve, të cilat nuk pranuan të identifikohen pasi nuk janë të autorizuara të flasin me median, rafineritë indiane mund të fillojnë të ulin blerjet nga dhjetori, pasi porositë për nëntorin tashmë janë vendosur, përcjell Reuters.

Megjithatë, deri tani qeveria indiane nuk ka dhënë ndonjë udhëzim zyrtar për ndërprerjen e importeve nga Rusia.

 

Presioni amerikan dhe negociatat tregtare

Zyrtarë indianë ndodhen në Uashington për bisedime tregtare, në një kohë kur SHBA ka dyfishuar tarifat për mallrat indiane. Negociatorët amerikanë kanë bërë të ditur se kufizimi i blerjeve të naftës ruse do të ishte një hap kyç për uljen e tarifave dhe për arritjen e një marrëveshjeje tregtare.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal, tha se janë duke u zhvilluar bisedime për bashkëpunim më të thellë në fushën e energjisë me Shtetet e Bashkuara.

“Administrata aktuale amerikane ka shprehur interes për të forcuar bashkëpunimin energjetik me Indinë. Diskutimet janë në vijim,” deklaroi ai.

Trump tha të mërkurën se kishte folur me kryeministrin indian Narendra Modi për çështjen e blerjeve të naftës ruse, në kuadër të përpjekjeve të tij për të shtuar presionin ndaj Moskës që të negociojë paqen me Ukrainën.

“Nuk isha i lumtur që India po blinte naftë (nga Rusia), dhe ai (Modi) më siguroi sot se nuk do të blejnë më naftë nga Rusia,” tha Trump para gazetarëve në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë.
“Ky është një hap i madh. Tani do të përpiqemi të bindim edhe Kinën të bëjë të njëjtën gjë.”

Megjithatë, Ministria e Jashtme e Indisë tha të enjten se nuk ishte në dijeni për ndonjë bisedë telefonike midis Modit dhe Trump-it të mërkurën.

 

Rusia mbetet burim kryesor

Të dhënat tregtare tregojnë se Rusia ka përbërë 36% të importeve të naftës së Indisë në gjashtëmujorin që përfundon në shtator, ose rreth 1.75 milion fuçi në ditë.

Importet pritet të rriten në 1.9 milion fuçi në tetor, sipas kompanisë analitike Kpler, pasi Rusia shtoi eksportet pas sulmeve me dron ukrainas ndaj rafinerive të saj.

Zëvendëskryeministri rus Aleksandër Novak tha të enjten se Moska mbetet e bindur se partneriteti energjetik me Indinë do të vazhdojë.
“Burimet tona energjetike janë të kërkuara, ekonomikisht të favorshme dhe praktike. Jam i bindur se partnerët tanë do të vazhdojnë bashkëpunimin me ne,” deklaroi Novak.

Ndërkohë, kompania indiane Mangalore Refinery and Petrochemicals (MRPL) njoftoi se po kërkon burime alternative me çmime të ulëta, por shpreson të vazhdojë blerjet e naftës ruse.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, theksoi se Rusia mund të furnizojë naftë me çmime më të ulëta për vendet që Trump po përpiqet t’i bindë të ndalojnë blerjet nga Moska. Ai paralajmëroi se kufizimet e tilla do të binin ndesh me parimet e tregtisë së lirë.

Çmimet e naftës qëndruan të qëndrueshme të enjten, ndërsa tregtarët vlerësuan se një ngadalësim i blerjeve të Indisë nga Rusia mund të rrisë kërkesën për furnizime nga tregje të tjera.