Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja ushtarake me Pakistanin, masa të shtuara sigurie në aeroportet indiane


Kompanitë ajrore në Indi kanë paralajmëruar pasagjerët për masa të shtuara sigurie në të gjitha aeroportet e vendit, në kuadër të përshkallëzimit të tensioneve me Pakistanin.

Air India njoftoi se Byroja për Sigurinë e Aviacionit Civil ka dhënë udhëzime për rritjen e nivelit të sigurisë në të gjitha aeroportet dhe për të gjitha linjat ajrore.

“U rekomandojmë pasagjerëve në të gjithë Indinë të mbërrijnë në aeroport të paktën tre orë përpara nisjes së planifikuar për të shmangur vonesat në regjistrim dhe hipje në avion”, thuhet në një postim të Air India në platformën X.

Edhe kompania IndiGo konfirmoi masat e reja:

“Në këto rrethana të jashtëzakonshme, janë vendosur kontrolle shtesë sigurie në të gjitha aeroportet. Ju lutemi planifikoni kohë shtesë për të përmbushur të gjitha formalitetet e nevojshme.”

Ndërkohë, kompania Akasa Air kërkoi që pasagjerët të kenë me vete një dokument identifikimi të vlefshëm të lëshuar nga shteti, duke sqaruar se të gjithë pasagjerët do t’i nënshtrohen kontrolleve të dyta të sigurisë para imbarkimit, shkruan CNN.

Aeroporti Ndërkombëtar Indira Gandhi në Delhi njoftoi se operacionet vazhdojnë normalisht, por pranoi se disa fluturime mund të vonohen për shkak të ndryshimeve në hapësirën ajrore dhe rritjes së kontrolleve të sigurisë. Aeroporti i Mumbait gjithashtu paralajmëroi për kohë pritjeje më të gjata.

Sipas një zyrtari të lartë të policisë, më shumë se 20 aeroporte në Indinë veriore dhe veriperëndimore do të qëndrojnë të mbyllura deri të shtunën.