Vendosni fjalën kyçe....

Ursula von der Leyen sot në Kosovë, takim me Osmanin dhe Kurtin


Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po qëndron sot (15 tetor) për një vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të zhvillojë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, përcjell REL.

Sipas agjendës zyrtare, von der Leyen do të takohet fillimisht me Osmanin në Presidencë në orën 13:00, ndërsa në orën 14:05 pritet të zhvillojë takim me Kurtin në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Nuk është paralajmëruar ndonjë adresim për media pas takimit në Presidencë.

Kjo vizitë zhvillohet në një periudhë kur Kosova ndodhet me ekzekutiv në detyrë, që nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt. Kurti është mandatuar nga Osmani për të formuar qeverinë e re dhe ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para Kuvendit përbërjen qeveritare. Për zgjedhjen e Qeverisë nevojiten 61 vota, ndërsa Kurti ka paralajmëruar bisedime me parti të tjera për krijimin e një koalicioni.

Në gusht, ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, kishte njoftuar Qeverinë në detyrë se zyrtarët evropianë nuk do të zhvillonin takime në ndërtesën e Kryeministrisë, deri në formimin e një ekzekutivi me mandat të plotë. Vendimi pasoi një aktgjykim të Gjykatës Supreme të 25 qershorit, që shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duke argumentuar se ministrat që janë deputetë nuk mund të nxjerrin akte nënligjore gjatë ushtrimit të detyrës.

Pas publikimit të letrës, zëdhënësi i Qeverisë kishte deklaruar se “Kryeministria është vendi i punës i Kurtit, por takime mund të mbahen edhe jashtë ndërtesës së Qeverisë”.

Vizita në Kosovë është pjesë e një turneu të von der Leyen në Ballkanin Perëndimor, ku ajo tashmë ka vizituar Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën. Para mbërritjes në Prishtinë, ajo zhvilloi një takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd. Turneu do të përfundojë më vonë gjatë ditës në Maqedoninë e Veriut.

Shefja e KE-së kishte qëndruar në Kosovë edhe në tetor të vitit të kaluar, kur kishte folur për masat ndëshkuese të vendosura nga BE ndaj Kosovës pas tensioneve në veri të vendit. Që atëherë, BE-ja ka nisur heqjen graduale të disa prej masave.

Von der Leyen pritet të diskutojë edhe për Planin e Rritjes të BE-së prej 6 miliardë eurosh, që synon mbështetjen e reformave dhe investimeve në rajon për periudhën 2024–2027. Nga kjo shumë, 2 miliardë euro janë grante dhe 4 miliardë euro kredi me kushte të favorshme.

Kosova ende nuk ka përfituar nga ky plan për shkak të mungesës së institucioneve të reja dhe mosmiratimit të disa marrëveshjeve ndërkombëtare.