
Akuza të pavërteta i quan Presidenti Bajram Begaj 7 shkeljet që Grupi i Partisë demokratike renditi në kërkesës që depozitoi në Kuvend për shkarkimin e tij.
Në një deklaratë të ndarë zyrtarisht për mediat, Presidenca thotë se pret që Kuvendi të hetojë rreth këtyre akuzave me profesionalizëm dhe transparencë të plotë.
Për Begajn, ky hetim nga Kuvendi i Shqipërisë nuk duhet bërë si obligim ndaj postit më të lartë të kreut të Shtetit, por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut.
Begaj thotë se ka zgjedhur që ta ushtrojë detyrën e tij i pandikuar nga sulmet për interesa politike, apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik.
“Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra është instrument kushtetues i Parlamentit. Parlamenti është i lirë dhe sovran ta ushtrojë sa herë që e gjykon të përligjur. Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta. Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut”, thuhet në reagimin e Begajt.
PD e depozitoi sot në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Begajt duke renditur 7 shkelje, nga dekretimi i zgjedhjeve në Tiranë, kërkesa e Presidentit në Kushtetuese për sqarimin e mandatit të anëtarëve të kësaj gjykate, dekretimi i Diellës ministre, dekretimi i ligjit për komisionet hetimore, apo edhe akuzat se lejoi përfshirje të trupës diplomatike dhe kabinetit të tij në zgjedhje për Partinë Demokratike janë arsye që Begaj të mos jetë më kreu i shtetit. Po ashtu, PD pretendon se Begaj rezulton i punësuar në një klinikë private në Tiranë, si edhe ka favorizuar një kompani sigurimesh duke i dhënë tenderët e Presidencës, ndërsa ajo në këmbim i ka punësuar djalin fiktivisht.
Deklarata e plotë e Presidencës
Publiku është njohur sot me një nismë të Partisë Demokratike për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës nuk komenton nismat politike të asnjerës palë, sepse një gjë e tillë nuk përputhet me neutralitetin e funksionit të lartë kushtetuese. Ai ka zgjedhur të ushtrojë mandatin presidencial, i pa ndikuar në asnjë rrethanë nga sulmet për interesa politike, apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik.
Presidenti i Republikës respekton të gjitha institucionet e tjera kushtetuese, edhe kur ato marrin pozicione të kundërta me pozicionet që mban Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së tij kushtetuese.
Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra është instrument kushtetues i Parlamentit. Parlamenti është i lirë dhe sovran ta ushtrojë sa herë që e gjykon të përligjur. Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta. Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut.